Unë jam një kokërr Bizele
Dëgjoj një zë të njohur, një Zë që vjen më zgjon çdo mëngjes… e nuk më bëhet t’i përgjigjem. Mëngjesi më pëlqen, më pëlqen se ka diell e dielli do të thotë ditë e re. Ditë e re do të thotë që do të vendos sipas rradhës e në vendin e tyre kubat, topat, piramidat … sepse kur ikën dielli, Zëri më që zgjon në mëngjes m’i bën të gjitha bashkë, në një vend.
Zërit I pëlqen shumë ta shikoj në sy, të rri me të, t’i flas e t’i tregoj për gjërat që bëj…por mua më bezdis, nuk dua të bëj gjërat që më thonë. Shkoj tek format e mia dhe aty jam mirë, jam aty ku dua.
Dëgjova Zërin të fliste në atë që I thonë telefon. Fliste me një zë tjetër e në fund I tha: “Patjetër, do jemi aty nesër , bashkë me Ertin”. Ja kshtu më thërret Zëri çdo mëngjes, Erti.
Nuk dua të shkoj me Zërin por ajo prapë më merr me vete.Hipim në makinë e mua më pëlqen shumë makina. Ajo lëviz e më çon diku pa mu dashur mua të lëviz. Doreza e makinës më pëlqen shumë dhe ja ngul sytë gjithë rrugës.
Kësaj rradhe makina na çoi në një vend që s’kisha qënë më parë. Ishte një Kub gjigand I bardhë dhe mua më pëlqejnë shumë kubat dhe format.Nuk e kundërshtoj shumë Zërin dhe zbres nga makina. Futa duart në xhepat e pantallonave dhe ndoqa Zërin.U futëm brenda dhe ishin një tufë me teta që vetëm buzëqeshnin . Ia u hodha një moment sytë dhe vashdova me duar në xhepa e me sytë poshtë , njësoj sikur të më vinte turp nga diçka. Zëri më ndjek nga pas shpeshherë, më thotë se më do shumë e se do kujdeset për mua. Nuk e kuptoj dot pse, unë jam shumë mirë.
Shkojmë te zyra e njërës nga ato tetat dhe ajo fillon e më pyet , më tregon disa forma e disa vizatime e pret përgjigje nga unë. Kryqëzova duart para meje dhe hodha sytë nga dritarja. Pastaj fillon e flet me Zërin, nuk I dëgjoj për çfarë. Më sjell përpara një grumbull me forma druri.
Tani po kuptohemi teta me përparëse të bardhë !
Fillova t’i ndaj , ashtu siç bëj çdo mëngjes dhe isha aty ku duhet të isha, me format e mia.
“Hajde Erti, do ikim” – më thotë zëri. Nuk u çova deri sa përfundova format dhe me duart në xhepa eca përpara .Kur po dilja , përballë meje vjen një djalë, pak më I gjatë se unë…po bërtiste, po më ngjallte frikë dhe dëshirë (ndoshta) për tu “fshehur “mbrapa Zërit. Ikim . Makina po lëviz prap dhe do më çojë në shtëpi.
Mëngjes prapë. Zëri prap. Makina prap. Kubi gjigand prap. Kjo zgjati për një kohë të gjatë . Zëri dhe unë rrinim më shumë te kubi dhe filluam të kolonim dhe drekat aty. Ato tetat bënin supë shumë të mirë, mua më pëlqente dhe një ditë e mbusha pjatën prapë. E dëgjoja Zërin të më thoshte se ishte shumë e lumtur për përparimin tim. Përparim? Çfarë është kjo fjalë? Për çfarë shërben?
Mëngjeset e drekat tek Kubi I madh u bënë të përditshme dhe po mësohem me këtë gjë. Sot paskam ditëlindjen ! Zëri ka marrë me vete tortë, tollumbace , letra me ngjyra.Tetat tek kubi si gjithmonë më presin me buzëqeshje e sot duan të më puthin në faqe. Po prisni, çbëni kështu? Nuk dua të më puthë njeri, as Zërin nuk e lejoj.
Tetën me përparëse të bardhë u mësova ta kem çdo mëngjes me diell timin, por tani këto mëngjese janë ndryshe. Shumë gjëra tek unë , sjellje, veprime kanë ndryshuar e janë përmirësuar. Tani I lejoj të gjithë të më përkëdhelin , të më lyejnë hundën me tortë pas kaq shumë ditëlindjesh të kaluara këtu tek kubi gjigand…që në fakt nuk është kub , por një qëndër për fëmijë, teta me përparëse të bardhë është doktoresha dhe Zëri…ah Zëri, është Mami.
Dëgjoj mamin , mamin që më zgjon çdo mëngjes e tani I përgjigjem Mëngjesi më pëlqen se ka diell, e diell do të thotë ditë e re. Ditë e re do të thotë që të vendos sipas rradhës e në vendin e tyre kubat, topa, piramidat…sepse kur ikën dielli, bashkë me mamin që më zgjon çdo mëngjes, I bëjmë të gjitha bashkë, në një vend.Unë nuk jam kokëuluri me duar në xhep, Jam Erti… një kokërr bizele.
Preveza Zeka