Urdhri i MAS-it, kriteret e reja për mësuesit e parashkollorit

Reforma e re kurrikulare ka ndryshuar rolin dhe përgjegjësitë e mësuesve të arsimit parashkollor e, po ashtu, edhe pritshmëritë ndaj tyre. Për këtë, Ministria e Arsimit ka hartuar një urdhër, datë 20.09.2018, që përfshin një dokument voluminoz, i cili përcakton formimin e nevojshëm që duhet të kenë arsimtarët që përgatisin fëmijët për klasën e parë. Standardet e një mësuesi të parashkollorit nuk janë detyrimet e tij profesionale, por janë kërkesa shtesë për mënyrën e tij të mësimdhënies, që duhet të ketë në fokus domosdoshmërisht interesat individuale të çdo fëmije parashkollor. Dhe kjo është lehtësisht e matshme me: interesin që tregon për t’u zhvilluar profesionalisht, rezultate të larta në kualifikime e pjesëmarrje në trajnime.

Standardet e formimit profesional

Ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë hartuar një dokument me 11 standardet që lidhen ngushtë me përfshirjen e mësuesit në trajnime e kualifikime, zotërimin shkencor të kurrikulës dhe krijimin e një klime bashkëpunuese në shkollë. Etika është parimi i parë që duhet të ketë një mësues që presupozon jo vetëm sjellje e komunikim profesional, po deri edhe te veshja e duhur. Standardi i dytë është bashkëpunimi me prindër, të cilëve jo vetëm u përcjell rezultatet e arritura, por i bën pjesë të zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve të tyre si dhe anëtarë të komunitetit. Gjithçka në dobi të zhvillimit të të nxënit të fëmijëve. Së treti, është zhvillimi profesional, duke marrë pjesë në veprimtari që i kërkon shkolla apo të iniciuara prej tij, si dhe në trajnime e kualifikime të vazhdueshme. Njohja e paketës së re kurrikulare është një tjetër domosdoshmëri për mësuesit e parashkollorit. Veç kësaj, përditësimi me metodat e reja të mësimdhënies, duke ndërfutur mes tyre dhe teknologjinë, përbën një tjetër standard që duhet zbatuar në përputhje me moshën e fëmijëve.

Praktika e burime të larmishme për të nxitur zhvillimin individual të nxënësve dhe përdorimi i mirë i kompjuterit janë kushte për mësuesit e parashkollorit. Ata duhet të jenë gjithashtu njohës të rritjes së fëmijëve dhe aftësive për të nxënë si dhe rrethanave socioekonomike të tyre. Një tjetër standard është pranimi dhe respektimi i diversitetit e po ashtu të ofrojë mbrojtje fizike dhe emocionale të fëmijëve 3- 6 vjeç. Jo të pakta janë rastet kur dëgjimi e shikimi i pakët apo të tjera problematika janë dalluar nga mësuesit dhe jo nga prindërit. Pikërisht kjo kërkohet edhe sot. Një tjetër kriter janë teknikat e ndryshme të vlerësimit, vëzhgimit dhe monitorimit të sjelljes së fëmijës jo vetëm për t’ua komunikuar prindërve, por edhe për të përmirësuar punën edukative me ta.

Share With:
Translate »
985 Views