Ushqimi me gji s’ka efekte në lidhje me obezitetin

Ushqimi me gji i të porsalindurve nuk i mbron ata nga mbipesha apo obeziteti, thuhet në një studim të ri i publikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Rikard Martin, autor i studimit nga Universiteti Bristol në Britaninë e Madhe, shprehet se “qumështi i gjirit në vetvete përmban shumë vlera ushqyese dhe përfitime shëndetësore, por në lidhje me obezitetin nuk jep asnjë efekt. Kërkues të mëparshëm kishin këshilluar se ushqimi i fëmijëve me gji, u jep atyre më pak mundësi që kur të rriten të bëhen obezë. Pasaktësitë e këtyre studimeve qëndrojnë në faktin se ata krahasuan nënat që kishin zgjedhur ose jo t’i ushqenin fëmijët me gji. Duke vepruar kështu nuk mund të bëhej qartë ndryshimi mes fëmijëve dhe të dhënave të rëndësishme që ato përcillnin. Studimi i ri përfshiu 17.000 nëna dhe fëmijët e tyre. Më shumë se gjysma e bebeve ishin lindur në spitale që kishin përqafuar nismën për ushqimin me gji të Organizatës Botërore të Shëndetit. Të gjitha nënat i kishin ushqyer fëmijët e tyre me gji fillimisht, kështu që studimi kishte si qëllim të krahasonte kohën gjatë së cilës ishte ushqyer secili fëmijë me tjetrin. Programi i nxitjes së ushqimit me gji duket se punoi shumë mirë, në tre muaj 43 për qind e nënave vazhdonin mënyrën origjinale të ushqimit. Autori Martin shprehet se gjatë viteve, skuadra e tij e studimit zbuloi se fëmijët e ushqyer me gji u prekën më pak nga infeksionet e stomakut dhe kishin aftësi më të mira kujtese sesa fëmijët e tjerë. Në këtë fazë të kërkimeve, hulumtuesit krahasuan peshën dhe sasinë e shëndoshjes te 14.000 fëmijë të studiuar në moshën 11-vjeçare dhe nuk zbuluan asnjë ndryshim mes atyre të ushqyer me gji dhe atyre të ushqyer me mënyra të tjera. 14-16 për qind e fëmijëve ishin mbipeshë dhe rreth 5 për qind obezë. Dr. Ruth Laurenc, një kërkuese e ushqimit me gji nga Universiteti Rochester i Nju Jorkut, shprehet se ajo akoma beson se është fillimi i ushqimit me gji nga nëna, fakti që mund të ndihmojë t’i qëndrojmë larg obezitetit. Në studimet e saj të deritanishme, Ruth ka arritur të vërtetojë se fëmijët e ushqyer me gji kishin nivel më të lartë të kontrollit ndaj ushqimit. “Është zhgënjyese që nuk kishte ndonjë ndryshim të madh mes dy kategorive të fëmijëve, nga studimi i fundit,- thotë Dr. Laurenc,- por jam e sigurt që në të ardhmen e afërt shkencëtarët do të gjejnë një mënyrë për ta provuar teorinë time”. Kërkuesit shprehen se qëllimi dhe rezultatet e studimit nuk ishin që të mbështesnin nënat që nuk i ushqenin fëmijët me qumështin e tyre, sepse është e ditur tashmë sesa shumë avantazhe ka qumështi i nënës për të sapolindurit. Dr. Martin thotë se nuk ka arsye përse nënat të mos vazhdojnë të ndjekin këshillat e deritanishme, të ushqejnë fëmijët e tyre për gjashtë muaj me qumësht gjiri. Alison Ventura, një shkencëtar i ushqimit në Universitetin Drexel të Filadelfias mbështet kolegun e tij duke thënë: “Mbase ushqimi me gji nuk parandalon obezitetin, por ai është tejet i rëndësishëm”. Doktorët rekomandojnë që prindërit e rinj të tregohen shumë të kujdesshëm në lidhje me dietën e fëmijëve të tyre dhe të zgjedhin me maturi se cilat ushqime do t’u japin bebeve dhe në çfarë mase. Ushqimi me gji mund të mos jetë faktori i vetëm që ndikon te obeziteti, por është e sigurt shprehet dr. Ruth se bën pjesë në përbërësit e faktorëve që e ndalojnë atë.

Të mirat e ushqimit me gji të porsalindurve.

Shumica e femrave zgjedhin t’i ushqejnë fëmijët e tyre me gji. Ja disa arsye përse duhet të bëni edhe ju këtë zgjedhje:

–   Qumështi i gjirit është i vetmi ushqim natyror posaçërisht për të sapolindurit.

–   Ushqimi me gji mbron bebet nga infeksionet dhe sëmundjet.

–   Mbron shëndetin e nënës.

–   Nuk ka kosto dhe as efekte të fshehura.

–   Qumështi i gjirit ka temperaturën e duhur për fëmijën.

–   Ndërton një lidhje të fortë fizike dhe emocionale mes nënës dhe fëmijës.

Përfitimet që merr fëmija juaj nga ushqimi me gji:

–   Fëmijët kanë më pak mundësi të preken nga diarreja dhe të vjellat.

–   Preken më pak nga infeksionet në mushkëri dhe vesh.

–   Më pak probleme me jashtëqitjen.

Përfitimet e nënës:

–   Nënat kanë më pak mundësi të preken nga kanceri i gjirit.

–   Shpenzojnë 500 kalori në ditë duke ushqyer fëmijët.

–   Ndikon për mirë në zhvillimin e gjoksit.

–   Rrit lidhjen e saj me fëmijën.

–   Nuk i duhet të rrezikojë duke zgjedhur formula të tjera, që zëvendësojnë qumështin e gjirit.

Share With:
Translate »
791 Views