Vajza 6-vjeçare e George Floyd nuk e di si u vra i ati, por di që ai ndryshoi botën

Vajzës 6-vjeçare të George Floyd, Gianna Floyd, i është thënë se i ati ndryshoi botën, por nuk i është thënë si u vra.

Ajo së bashku me të ëmën, Roxie Washington u shfaqën në Good Morning America, sot në mëngjes. Gianna tha vetëm se i mungon i ati dhe se ata luanin gjithmonë bashkë.

Roxie, nga ana tjetër, tha me lot në sy se kishte parë vetëm disa pjesë të videos ku oficeri i policisë mbajti këmbën në qafën e Floyd. Roxie tha se do të donte shumë të kishte qenë atje për ta ndihmuar.

Ndërsa për sa i përket Gianna-s, ajo tha se i kishte thënë vetëm se i ati vdiq pasi “nuk mund të merrte frymë”.

Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, Gianna shfaqet në shpatullat e xhaxhait të saj duke parë protestat paqësore në Minneapolis dhe duke thënë: “Babi ndryshoi botën”.

Familja e George u ka kërkuar të gjithë njerëzve të protestojnë në mënyrë paqësore. Por duket se Amerika s’po gjen më paqe që pas vdekjes së Floyd.

Në një konferencë për shtyp dje, Roxie tha mes lotësh duke parë nga Gianna:

“Nuk kam shumë për të thënë, nuk i bëj dot fjalët bashkë tani. Dua që të gjithë ta dinë se kjo është ajo që më morën ata oficerë. Në fund të ditës, ata do të shkojnë në shtëpi të qëndrojnë me familjet e tyre, ndërsa Gianna nuk e ka më të atin.

Ai nuk do ta shohë atë të rritet, të diplomohet dhe nuk do të mund ta shoqërojë në altar. Nëse ka një problem dhe do t’i nevojitet i ati, nuk do mundet ta ketë pranë. Unë jam këtu për vogëlushen time dhe jam këtu për George-in, sepse dua drejtësi për të.”

Roxie dhe George ishin ndarë prej disa kohësh, por ai ishte një baba prezent në jetën e së bijës dhe shumë i dhënë pas saj. George ka edhe një vajzë me një grua tjetër, por ato nuk janë identifikuar publikisht.

Share With:
Translate »
1050 Views