“Vajza ime ka dy mama, por mban mbiemrin tim”, Simona Ventura flet për herë të parë për vajzën 17-vjeçare

Ajo është pa diskutim një nga figurat më spikatura dhe më të dashura të ekranit italian, aq sa kur themi Simona Ventura është njëlloj sikur të kemi thënë RAI apo Italia Uno. 58-vjeçarja u ka dhënë zë dhe figurë disa prej programeve më të rëndësishme në vend, e duhet thënë që çdo sprovë mediatike e ka tejkaluar me sukses. Përpos karrierës dinjitoze, Ventura është gjithashtu një partnere dhe mama e realizuar. Ajo ka dy djem, Niccolò dhe Giacomo, nga ish-martesa me Stefano Bettarini-n dhe një vajzë, Caterina-n, që zgjodhi ta adoptonte pas divorcit.

Në një intervistë dhënë së fundmi për “Grazia-n”, Simona Ventura ka rrëfyer përse e mori këtë vendim. “Mamaja biologjike e Caterina-s është kushërira ime dhe kur lindi në 2006-n, nuk mund të kujdesej për të. Erdhën të dyja në shtëpinë time kur Caterina ishte vetëm një muaj e gjysme dhe u dashurova me të që kur e pashë për herë të parë. Diçka ndryshoi brenda meje atë ditë. E ndieja që duhet të bëja diçka dhe nisa menjëherë, gjithmonë pas aprovimit të mamasë së saj, procedurat e adoptimit. Fillimisht më dhanë kujdestarinë për dy vjet, pastaj ma rinovuan sërish për dy vite të tjera derisa e mora të përhershme.”- tregoi fillimisht ajo.

Duke folur me avokatin, prezantuesja legjendare kuptoi se Caterina nuk do të kishte mbiemrin e dy djemve të saj, por Ventura. Procesi ishte i gjatë, zgjati tre-katër vjet, por ajo nuk u dorëzua kurrë. Kur Caterina u rrit, Simona Ventura vendosi t’i tregonte menjëherë të vërtetën vajzës së saj, para se ta lexonte në rrjete sociale.

“Kur Caterina ishte 13 vjeç, i tregova të vërtetën. Duke qenë se unë jam personazh publik, ekzistonte rreziku që ta merrte vesh në një mënyrë tjetër. I shpjegova se ishte një vajzë e vogël me fat sepse kishte dy nëna. Shërbimet sociale më ndihmuan të menaxhoja këtë gjendje dhe për fat, Caterina nuk ka pasur asnjë moment krize”, -përfundoi ylli i ekranit italian.

Share With:
Translate »
83 Views