Vajzat në Shqipëri po “refuzojnë” të bëhen nëna, bie përqindja e fëmijëve të parë në totalin e lindjeve

Në vitin 2012 gati gjysma e lindjeve në vendin tonë ishin bebja e parë, ndërsa më 2022 vetëm 40%.

Teksa në numrin total lindjeve, përqindja e bebeve të para ka shënuar rënie, nga ana tjetër përqindja e bebeve të treta është rritur, sipas të dhënave të raportuara nga Eurostat.

Struktura e lindjeve sipas numrit të fëmijëve në një çift “lindja e parë”, “lindja e dytë” dhe “lindja e tretë”, tregon se gjithnjë e më pak femrat po preferojnë të behën nëna.

Rritja profesionale, vetë-plotësimi personal, të shoqëruara me faktorë të tjerë social dhe ekonomik po rrisin numrin e femrave që nuk lindin fëmijë në moshën e riprodhimit.

Shqipëria renditet në vendet e para në Europë me përqindjen më të ulët të bebes së parë në totalin e lindjeve. Në shumicën e vendeve të zhvilluara të Europës bebet e para zënë 45-54% të totalit të lindjeve.

Nga ana tjetër shihet një rritje e çifteve të martuara që lindin më shumë se dy fëmijë.

Pesha e fëmijës së tretë në totalin e lindjeve ishte 16.5 % në vitin 2022, me një rritje të lehtë në krahasim me para pandemisë. Gjithashtu përqindja e fëmijës së dytë në totalin e lindjeve ishte 37.6% në vitin 2022 nga 38.5 për qind në vitin 2019.

Kostot për të krijuar familjen e re janë rritur vitet e fundit prej çmimeve të larta të banesave dhe shërbimeve arsimore.

Vit pas viti femrat shtyjnë kohën e martesës dhe të lindjes së fëmijës së parë.

Lindjet në Shqipëri janë duke rënë me shpejtësi, teksa vendi ynë renditet ndër tre shtetet europiane me normën më të ulët të fertilitetit në Europë.

Në 3-mujorin e parë të vitit 2024 numri i lindjeve ishte 5,056, duke shënuar një rënie me 6,8%, krahasuar me tremujorin e parë 2023. Lindjet në tremujorin e parë 2024 shënuan nivelin më të ulët historik me bazë tremujore së paku që nga viti 1990.

Në qarqet e Jugut, numri i lindjeve për 1000 banorë është shumë më i ulët se në ato të Veriut, një e dhënë që tregon se popullsia në këtë rajon është më e plakur.

Të dhënat e INSTAT të përpunuara nga Monitor, tregojnë se në vitin 2023, qarku me numrin më të ulët të lindjeve për 1000 banorë ishte Vlora me 5.7 lindje, e ndjekur nga Korça me 6.3, Fieri me 6.9 dhe Gjirokastra me 7.1 lindje për 1000 banorë. Në anën tjetër, Dibra ishte qarku me numrin më të lartë të lindjeve për 1000 banorë, në 9.6 të tillë, e ndjekur nga Kukësi me 9.3, Lezha me 8,8 dhe Tirana me 8.8.

Qarqet e Jugut të vendit i kaluan më herët fazat kulmore të emigracionit në moshat e reja. Lindjet më të pakta në këto qarqe tregojnë për një popullsi më të plakur dhe për norma më të ulëta të fertilitetit./

Share With:
Translate »
81 Views