Valbona Selimllari për herë të parë rrëfen mëmësinë dhe trishtimet e jetës

Më kujtohet ende ai gëzim i pamatë i përzierë me një ndjenjë krenarie kur në TV u njoftua se Valbona Selimllari u shpall “Misses Globe”. Në ekran, shfaqej në sfilatë Bona me një pamje rrezëllitëse që ndrinte ende më shumë nga dhëmbët e bardhë kur buzëqeshte. Më e bukura e tërë botës! E para, e vetmja. Ende!

Shumë vite më pas, jemi bashkë në Durrës dhe bëhemi gati për setin fotografik. Kemi udhëtuar nga Tirana me Bobin në timon.

E bija, e mësuar me një mama që mban premtimet, e tërheq dhe i kujton se i ka premtuar të rrinë bashkë. Kur gjyshja ndërhyn, e vogla pothuaj e trishtuar thotë: “O nëna të lutem më ler, po flas me mamin tim, me shoqen time…”.

Bona i ka rritur fëmijët më këtë frymë. Duke u ndjerë jo pak fajtor që u rrëmbej të ëmën, e pyes për pushimet me ta. “Shpesh momenti të sjell gjëra më të bukura se sa ato që ti i planifikon për një kohë të gjatë. Mua më duhet t’i organizoj për hir të fëmijëve, e për të njëjtën arsye nuk i dua destinacionet e largëta. Jam bërë edhe frikacake që kur jam bërë nënë”. Udhëtimi në shtete e brigje të largëta i krijojnë shqetësim. Nuk i ka menduar kurrë Maldivet, as Arubën. Për të, qetësia janë tri buzëqeshje, në çdo breg qoftë, në çdo strehë qoftë.

NËNA E SHUMË FËMIJËVE

Ka të shenjtë si asgjë tjetër, vetëm kohën për tre të vegjëlit e saj. Kur mbërrin në shtëpi, pasditja është e gjitha për ta. Mes shumë angazhimeve, prej muajsh ajo punon në Bashkinë e Tiranës si këshilltare për çështjet sociale. “Pse duket i çuditshëm angazhimi im në bashki për çështjet sociale?”, më pyet kur interesohem si u bë pjesë.

“Unë jam në ndihmë të njerëzve aty. Kjo është një gjë që më ka tërhequr, më ka pëlqyer ta bëj gjithnjë. Fakti që ti je në bashki do të thotë se ti ke mbështetje, pasi e vetme sado të mundohesh, nuk ia del”.

Fëmijët me të cilët po merret në qendrat sociale i hidhen në krahë sapo e shohin. Më duket se është bërë nëna e shumë fëmijëve. Natyrës së saj të qeshur, me shumë dashuri për të dhënë, i rri më së miri ky angazhim. “Unë nuk krijoj distancë me njerëzit që të më shoshin si Valbona Selimllari. Shkoj atje dhe jam një prej tyre”.

Nuk kanë kaluar shumë vite nga koha kur ajo drejtonte një program kushtuar shtresave në nevojë, duke i kthyer banesat e tyre në shtëpi ëndrrash, falë ndihmave që siguronte nga bizneset e sponsorët. “Nga e para”, një produksion i “Anima Pictures” mundi të siguronte streha të rehatshme për të pamundurit. “Jam përfshirë sa kam mundur në atë emision dhe puna si këshilltare ka ardhur në kohën e duhur. Ka ditë që përjetoj shumë emocione me fëmijët e rrugës. Kur iki nga puna dhe kthehem në shtëpi, mendja ime mbetet pas. Ndihem pothuaj e mbytur sepse ka raste që ndihma ime nuk ndryshon asgjë, siç ishte një ditë rasti i një djali të verbër. Drita e syve është e shtrenjtë, por unë nuk mundesha ta ndihmoja. Kjo ndjenjë pafuqie e pamundësie më ligështoi…” – thotë Bona, tek përlotet sërish kur e kujton.

Fëmijët e strehës sociale e thërrisnin zysha e shkonin ta përqafonin duke e pyetur, pse qante. U tha se i lotonin sytë, dhe doli pa mundur të mbajë veten. Kur mbërriti në shtëpi, shmangu edhe të vegjëlit e vet, që të mos u përçonte trishtim.

Dikur, ka dashur të marrë në shtëpi fëmijët e rrugës. Tani, që ka të sajët, thotë se po të kishte mundësi sërish do të birësonte. “Nëse nuk do të kisha pasur fëmijë, e sigurt që do të kisha birësuar. Ka skena e ngjarje që më kanë mbetur vrragë në mendje. Ende qaj kur i kujtoj, nuk kam mundur ta mbledh veten. Është shumë e vështirë”.

MES SKENËS E JETËS

Nga skena e spektakleve te realiteti shqiptar pa drita, nuk ka shumë ndryshim për Bonën.

Unë jam njeri pa ambicie dhe protagonizmin e kam minimal. Plus që e përditshmja, sa do të rrish brenda në skenë, nuk e shmang dot”. Kur dritat e skenës fiken, kur ti mbyll derën dhe del prej aty, lajmet, informacioni, rrjetet sociale të vënë në kontakt me çfarë ndodh përreth. Nuk mund të jetosh në një kullë dhe të mendosh se bota shkëlqen si dritat e studiove televizive.

Realiteti të ndjek kudo. Ajo që ne shohim në instagram, ajo çfarë na shitet, nuk është realiteti. Ai është realitet i gënjeshtërt. Shpesh bën edhe dëme”. Si për të qenë reale, Bona edhe kujdesin për pamjen e jashtme e ka minimal. Doemos, është me fat se nuk ka shumë nevojë të ‘zbukurohet’ për të qenë mirë. Ajo është gjithnjë mirë. Është vetë ajo që vendos se kur duhet të shkëlqejë dhe e vendos krejt rrallë.

Kujdesi për veten është minimal. Minimalist. Më duhet pesë minuta kohë për të bërë pak make-up. Veshja nuk më shqetëson, nuk impenjohem. E përditshmja ime është impenjative për punën që kam, por jo për kujdesin për veten. Sigurisht, ka nevojë për më shumë kujdes sidomos për moshën, por unë jam edhe pak përtace. Nga ana tjetër, i ngjaj babait se është shumë i mbajtur”, – thotë pothuaj e përkëdhelur por me modesti për bukurinë që ka.

LUMTURIA, JAM UNË!

Një miku im, pyet shpesh nëse jam i lumtur, nëse jemi të lumtur. Kam të njëjtën pyetje për Bonën, miss-in që na është ngulitur në kujtesë edhe për buzëqeshjen e saj. E pyes nëse është e lumtur. “Lumturia është çelësi i jetës. Njeriu mund të ketë, gjëra shumë të vogla që të mbushin jetën plot, ndaj varet nga këndvështrimi për lumturinë. Në përgjithësi jam e lumtur. Por nëse s’do isha, do e thosha? Kush e thotë?”, – pyet ajo.

Më rrëfen më tej se secili ka momentet e veta. “Jam e lumtur se kam tre fëmijë si drita, që ma mbushin aq shumë jetën, sa të tjerat i vë në plan të dytë. Lumturia, është brenda nesh. Kur nuk e gjejmë, kur nuk e ndjejmë duhet vetëm të marrim frymë dhe të buzëqeshim me gjërat të vogla. Lumturia nuk vjen në zymtësi”. 

Për Bonën, lumturia janë fëmijët. Ëndrrat për ta, janë sfida e saj. “Në jetë, disa gjëra kanë shkuar si kemi dashur e ca gjëra nuk kanë shkuar ashtu. E vetmja gjë tek e cila nuk dua të dështoj, janë ata. Mundohem, por s’e di sa do t’ia dal”.

Nuk ka dëshirë t’i shohë në botën e televizonit. Nuk e mendon. Por nuk do t’i ndalojë, e as t’i shtyjë. Ka dëshirë t’i lërë të lirë, të lirë të bëjnë zgjedhjet e veta. “Ndonjëherë them se do po t’i kisha dëgjuar disa njerëz që më janë imponuar do të kisha bërë mirë. Por jo, kam preferuar të bëj atë që kisha dëshirë. Jam prapë e kënaqur. Njësoj. Ndaj nuk dua të ndërhyj në dëshirat e tyre”.

Tek i biri, Deni, sheh një arkitekt. “Më jep mendime për shtëpinë që janë shumë të vlefshme. E shoh që ka ide, është artist. Keni, djali tjetër, mund të jetë një menaxher shumë i mirë, është i shkathët, impulsiv. Të dy e duan futbollin, por unë nuk e kam prioritet”. Vivi, ah ajo është shumë e vogël ende. Por është e qartë. “Vivi ka lojë të preferuar, formimin e figurave. Por është shumë e zgjuar, aq sa më lë pa fjalë. Ju nuk e dini, por nuk ka gjë më të sikletshme se të të pyesë një fëmijë tre vjeç e ti të mos kesh përgjigje”.

Mes punës, angazhimeve e fëmijëve, qetësia e saj janë miqtë. Shpesh janë larg, po ata janë. Ka të tjerë që janë për një kohë të shkurtër, e megjithëkëtë Bona nuk e humb besimin te miqtë, edhe kur e zhgënjejnë. “Jam njeri shumë miqësor. Nuk e besoj dot që ka njerëz që duan të më bëjnë keq, nuk kanë pse ta bëjnë. Kështu funksionoj unë. Fal e harroj”.

E rikthyer në ekran, Bonën mund ta shihni çdo të hënë në spektklain e Vera Grabockës, njeriun që e zbuloi, gruan që e mban gjithnjë afër. “Më pëlqen, ndihem mirë me këtë pozicion. E shijoj”. Më vonë? Më vonë Bona mund të jetë diku tjetër, por do jetë sërish Bona. E para, e vetmja. Ende! / revistawho.com

Nga Eraldo Rexho 

 

Share With:
Translate »
2167 Views