Vazhdon emigrimi masiv, ja sa fëmijë më pak këtë vit në klasën e parë

Mësuesit rrezikojnë vendin e punës në institucionet arsimore për shkak të rënies së numrit të regjistrimeve.

Pas kërkesës për informacion që Top Channel i drejtoi Ministrisë së Arsimit mësoi se: në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar në klasë të parë vetëm 20 235 fëmijë, rreth 10 mijë fëmijë më pak se në vitin e shkuar shkollor.

“10 mijë fëmijë më pak do të thotë 350 klasa të para më pak, pra 350 mësues më pak të arsimit fillor. Ne para 5 viteve kemi pasur nga 6 klasa paralele, sot kemi 4. Ky problem ndihet e do të vazhdojë të ndihet edhe më shumë. Në Sauk, në shkollën ’28 Nëntori’, në shkollën time ku punoj ‘Marie Logoreci’ ka një klasë më pak”, tha Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Arsimit në Tiranë.

Në 20 vitet e fundit sipas të dhënave të INSTAT popullata e fëmijëve të ciklit 9 vjeçar ka pësuar rënie me 48%. Numri i ulët i regjistrimeve vihet re edhe në klasë të dhjetë, ku janë regjistruar 17 145 nxënës, 1.2% më pak se vitin e kaluar.

Risia e regjistrimeve këtë herë ishte aplikimi online përmes e-Albania, e sipas drejtorisë së përgjithshme të arsimit parauniversitar ende 0.2% e fëmijëve nuk janë regjistruar kjo për shkak të disa problematikave si pamundësia për të aplikuar apo prindërit nuk respektojnë juridiksionin e shkollave ku u përket për arsimim dhe neglizhimi për t’i regjistruar në shkollat ku dëshirojnë.

Share With:
Translate »
152 Views