Veprimi heroik i babait të 4 fëmijëve që i kushtoi jetën

Rreth orës 10:55 të së premtes, Agur Vrenozi dhe Gëzim Hoxha ndodheshin në punë si çdo ditë tjetër, kur 3 persona të armatosur iu afruan për të grabitur pikën e këmbimit valutor në pronësi të Hoxhës.

Ndonëse në një orë dhe një zonë me lëvizje të shumta, 3 grabitësit, Zini Fyraj, Lulëzim Demiraj dhe Dashamir Gergali, nuk nguruan të përdornin armën.

Në momentin që pa grabitësit brenda pikës së këmbimit të mikut të tij Hoxha, 54-vjeçari Vrenozi nuk qëndroi duarkryq, por ndërhyri.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, por edhe pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë, me qëllim që të ndalonte grabitësit, Vrenozi fillimisht u mbylli atyre derën.

E në përpjekje për t’i ndaluar, ai kapi një karrige dhe i goditi me të.

Por pikërisht ky veprim heroik i kushtoi babai të katër fëmijëve jetën.

Grabitësit hapën zjarr duke e lënë të plagosur 54-vjeçarin në kokë.

Në gjendje të rëndë, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Fierit, e pak më vonë u transportua drejt Tiranës. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve, Vrenozi ndërroi jetë këtë të shtunë.

Dëshmitarë në zonën “Zogu i Zi” të Fierit, ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë, duke folur për mediat rrëfyen se teksa Vrenozi qëndronte i plagosur përtokëaskush nuk u afrua për ta ndihmuar.

Autorët qëlluan edhe pronarin e pikës së këmbimit, Gëzim Hoxhën, duke e lënë gjithashtu të plagosur.

64-vjeçari ndodhet në spital dhe fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.

Ndërkohë familja e Agur Vrenozit, sot ka hapur dyert e mortit.

Për bashkëshorten, dy vajzat dhe dy djemtë e tij dhimbja nga humbja e parakohshme e bashkëshortit dhe babait nuk ka të përshkruar.

Pasi morën paratë dhe plagosën Vrenozin dhe Hoxhën, 3 grabitësit u larguan me një makinë, në ndjekje të së cilës u vu policia.

Ata u kapën pak kohë më pas, njëri i zhytur në kanal kullues, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, ndërsa dy të tjerët pak më tutje.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Zini Fyraj, një emër jo i panjohur për policinë.

37-vjeçari nga Vlora vetëm një vit më parë ishte arrestuar për grabitje me dhunë të një të riu në Vlorë, të cilit i kishte marrë 4 mijë euro.

Por Fyraj ishte lënë i lirë, për arsye ende të paqarta.

Share With:
Translate »
613 Views