Vrasja e Sabrinës, çfarë deklaronte nëna e autorit 1 vit më parë dhe fjalët ngushëlluese: E rrita vetë, e mora 13 vjeçe

Konfliktet në familjet Metaj-Bengaj që do përfundonin në mënyrë tragjike mbrëmjen e 10 shtatorit filluan rreth një vit më parë kur 23-vjeçarja vendosi të ndahej nga bashkëshorti i saj pas 8 vitesh martesë.

Më 19 shtator të vitit të kaluar, autori i krimit, Elton Metaj shkoi në banesën e prindëve të viktimës dhe kërcënoi se do të vetëvritej nëse Sabrina Bengaj nuk kthehej me të në shtëpi, së bashku me vajzën e tyre, në atë kohë rreth 1 vjeç e gjysmë.

Pasi terrorizoi familjen e ish-gruas. 31-vjeçari u vendos në prangat e policisë dhe nëna e tij, Sabire Metaj doli në një deklaratë për mediat ku tregoi versionin e saj të ngjarjes, duke akuzuar ish-nusen për tradhti.

“Nusja paftë hajër nga zanati, siç ma nxiu mua pragun e shtëpisë, kështu u bëftë dhe asaj. S’kam fjalë tjetër për të. Të mendonte vetëm për vajzën!”- tha ajo, një ditë pasi i biri ra në prangat e policisë (20 shtator 2020).

Po ashtu një ditë pasi djali i saj, Elton Metaj ekzekutoi me kallashnikov 23-vjeçaren, me bukë në gojë, nëna e tij, Sabire Metaj doli sërish në një deklaratë për mediat ku u shpreh se “i biri i bëri hatanë”, ndërsa ish-nusen “e kishte si çupë dhe e rriti vetë pasi e mori në shtëpi që 13-vjeçe”.

Deklarata 20 shtator 2020

Jam mama e djalit, Elton Meta. Ai kaloi në depresion nga nusja, sillej shumë keq me të. Sado që sillej keq ne i flisnim djalit, jo asaj se e mora të vogël. Gjithmonë i thosha po ta fal, ditën tjetër më thoshte jam bërë pishman për atë që bëra mbrëmë.

Kur filloi kohët e fundit. Iku pa bërë sherr. Ajo iku nga shtëpia dhe mori vajzën e vogël, 1-vjeç e gjysmë. Kur shkoj në shtëpi shoh që kishte ikur. Unë e marr në telefon dhe i them se çfarë është kjo që bëre. Ajo më tha se nuk e donte më djalin.

E shihja se shkruante në telefon, por nuk e dija që ajo po na e punonte. Asgjë s’kam kuptuar. E mora një ditë më parë në telefon. I thash ik në shtëpi se Toni të do. Ajo tha se ka bërë gabime dhe do që të ndahet nga djali. Marr edhe gjyshen në telefon në drekë dhe më tha se nuk do ta japë më atje, nuk do të qëndrojë më çupa.

Foli edhe djali me të dhe i tha të paktën më nxirr çupën, e kishte marrë malli, kishte 1 javë që i bënte presion, nuk ia nxirrte, mbyllte telefonin.

I vjehrri nga Italia i thoshte: Mos u dorëzo, rri aty. I ngritën kurth.

Djali e ka denoncuar atë ditë që iku, kërkoi ndihmë. Nuk e ka ndihmuar njeri dhe ai iku në drejtim të paditur. E marrim në telefon dhe ai thotë se është në malin e Tomorit, jam keq. I them hajde se do ta zgjidhim këtë problem.

Pastaj erdhi policia në shtëpi dhe na tha se nuk e kemi mirë djalin. Në prill ka bërë një aksident të rëndë, ndoshta ka kaluar dhe nga kjo.

Djali tha se nëse nuk sheh vajzën do të vetëvritet. Nuk e di ku e ka gjetur armën. Djali ka qëlluar me armë në ajër, thoshte do vras veten nëse s’më nxirrni vajzën. Policia i thoshte Toni dorëzohu, ndërsa djali thoshte se do dorëzohej pasi të shikonte nusen dhe vajzën.

Nusja paftë hajër nga zanati, siç ma nxiu mua pragun e shtëpisë, kështu u bëftë dhe asaj. S’kam fjalë tjetër për të. Të mendonte vetëm për vajzën!

 

Deklarata 11 shtator 2021

E mora vesh, nuk jam në gjendje të mirë. Më ka bërë hatanë. Unë s’kam bërë 40 ditë të babait. Varrosa babanë, varrosa vëllain. Me ne rrinte, nuk kuptohej fare që do ta bënte. Policia erdhi dhe kontrolloi. Kishte nja dy muaj që kishte dalë nga burgu, mbaroi dënimin.

Sa qe në burg, nuk e kam takuar vajzën e vogël. Ata duheshin dhe duheshin me kokë, nuk e prisja të ndodhte kjo. Më vjen shumë keq sepse e rrita vetë, si për atë si për tim bir, se mua më ka ikur dhe im bir me të.

Kanë të drejtë dhe për hakmarrje. Përzihem me familjen e vajzës dhe unë. Është njësoj dhimbja si ata, se e mora 13 vjeç vajzën. E ka shteti në dorë. Flisnin dhe në telefon. Pas daljes nga burgu ishin takuar, i nxori çupën ajo.

E vini veten në vendin tim, dhe aty flisni. Çe dua jetën më unë. Unë nuk e kam takuar Sabrinën. Dhimbja është e njëjtë si për ata, si për mua. Më vjen shumë keq. Nga policia e morëm vesh, erdhën në shtëpi.

I mori vetë çuni në telefon, i tha jam në filan vend, do vetëvritem. Mori të atin në telefon dhe tha do vetëvritem, nuk e dua më jetën. Armën se kush ia ka dhënë.

Asnjë nuk mbajmë si fis, gjallë në botë armë në shtëpi. Të përgjigjet ai që ia ka dhënë.

Di kaq, ai e donte të shoqen, e donte me kokë. Po ta dija do e merrja në telefon do i thosha fshihu, nuk do ndodhte kjo. Çdo prind e mbron fëmijën e vet, por puna është se më bëri hatanë.

Ça të them, ja vete unë, më qas familja. Dhe unë të njëjtën gjë do bëja, të më vriste çupën, do qasja njerëzit e dhëndrit.

Më vjen shumë keq, dhimbja është tek të dyja palët. E kisha si çupë, e rrita vetë, shkonim..sikur të këmbenim një fjalë. Se si erdhi kjo papritur, kush ia mbushi mendjen, e morën në qafë. Shkonin, edhe duheshin.

/Panorama.al

Share With:
Translate »
30 Views