Ylli Baka përlotet: Më keni trembur fëmijët
Në një prononcim për Opinion.al, këngëtari Ylli Baka i përmendur në përgjimet e dosjes Habilaj, sqaron pozicionin e në raport me këtë çështje. Ai ka theksuar se me Habilajt e ka lidhur vetëm ana profesionale dhe asgjë tjetër.
” Nuk kam asnjë lidhje tjetër veç anës profesionale me ta, kam qenë në një dasmë të tyre. Unë nuk kam patur informacion për punët e tyre, ata janë adhurues të muzikës time. Profesioni që kam më bën që të ulem në tavolinë me njerëz të ndryshëm, por kjo nuk do të thotë që i njoh se çfarë bejnë në jetën e tyre” tha këngëtari.
Lidhur me përgjimet Ylli Baka është shprehur se nuk e ka konsumuar ndonjëherë lëndë të tilla. “Personalisht as nuk konsumoj dhe se kam idenë e këtyre, fare. Pyesni ata që kanë qenë në koncertet e mia, madje edhe alkool pi shumë pak”, është shprehur Ylli Baka.
Sa i përket fotos, këngëtari ka sqaruar se është realizuar dy vite më parë dhe ka rastisur me vëllezërit Habilaj në festën e një vendi të shenjtë: “Foto është takim rastësie. Unë shkoj gjithmonë në Teqen e Dorzës, madje i kam bërë edhe një këngë atij vendi të shenjtë, jam takuar me ata rastësisht, asgjë më tepër”, thotë këngëtari.
Baka është shprehur se kjo çështje është ekzagjeruar nga media dhe se ai nuk mund të zgjedhë adhuruesit e muzikës së tij.
“Asnjë artist apo këngëtar nuk i zgjedh adhuruesit e tij, nuk e kuptoj se ku qëndron problemi që mediat e kanë bërë kaq të madhe, madje edhe kanë spekuluar, muzikën time është i lirë ta pëlqejë kush të dojë, pavarësisht me çfarë mund të merren ata në jetë. Dhe nuk e kam idenë se me çfarë merren në jetë shumica e fansave të mi. Për këtë s’mund të më gjykoni”
Këngëtari u ka bërë apel mediave që të jenë korrekte me këtë ngjarje, pasi disa prej lajmeve të paverteta kanë sjell shqetësim në familjen e tij.
“Fëmijët janë shqetësuar shumë, kjo çështje më ka ardhur e papritur sa që edhe vet jam tronditur. Nuk ka asnjë arsye që kësaj t’i kushtoni vëmendje të madhe. Në vend të emrit tim mund të ishte emri i një kengëtari tjetër”, përfundon Ylli Baka.