30 vjeç dhe jetonte me prindërit, gjykata dëbon nga shtëpia djalin përtac
Një gjykatë në New York ka urdhëruar një 30-vjecar që të largohet nga shtëpia e prindërve, pasi këta të fundit ndërmorën masa ligjore ndaj djalit të tyre të papunë.
Michael Rotondo ishte kthyer në shtëpi në moshën 22-vjeçare, pas një përpjekjeje për të gjetur rrugën e tij në jetë, e prej 8 vitesh jetonte me prindërit që paguanin edhe për shpenzimet e tij, meqë ai nuk punon.
Christina dhe Mark i dërguan atij 5 paralajmërime, nga 2 shkurt deri më 30 mars, që të largohej nga shtëpia përpara se ata ta detyronin me ligj.
Prindërit shpesh i kanë thënë se ka plot mundësi pune, edhe për persona pa eksperiencë si ai.
Por, djalit përtac nuk i pëlqeu reagimi i prindërve dhe e çoi çështjen në gjykatë.
Gjykata e Shkallës së Parë në Nju Jork nuk preferoi të përzihej dhe çështja kaloi në Gjykatën e Lartë, e cila në kohë rekord vendosi në favor të prindërve.
Ditën e martë, gjykatësi vendosi që djali të largohet nga shtëpia e prindërve.
“Kjo është mizore”, u shpreh ai, teksa gjykata dha vendimin. Tashmë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëj valixhen gati.