7 këshilla si të rrisni fëmijë të lumtur

Për fat të keq fëmijët nuk lindin me “manual përdorimi”! Ndaj një nga pyetjet që bëhet shpesh nga prindërit është se si të rrisin fëmijë të lumtur. Fjala “të lumtur” kupton gjëra të ndryshme për persona të ndryshëm. Por Dr. Bob Murray dhe Shirin Sherkat kanë bërë një listë me gjërat që ndihmojnë për të rritur fëmijë të lumtur:

1. Dashuria
Së pari është e rëndësishme që dashurinë t’ia demostroni fëmijëve duke dashur njëri-tjetrin dhe më pas duke shprehur dashurinë edhe për ta. Kjo i bën fëmijët të ndihen të sigurt pasi dashuria është themeli i lumturisë. Tregojuni fëmijëve çdo ditë se i doni, përqafojini dhe inkurajojini t’i shprehin emocionet.

2. Koha
T’i dedikosh kohë fëmijës është një mënyrë tjetër t’i shprehësh dashurinë. Fëmijët kanë nevojë të kalojnë kohë me prindërit, sidomos me nënën. Fëmijët që rriten me më shumë siguri dhe vetëbesim janë ata të cilët kalojnë kohë me prindërit. Bëjeni pjesë të rutinës tuaj qoftë duke lexuar një përrallë apo të dilni për akullore.


3. Vlerësimet dhe lavdet
Fëmijët kanë nevojë që mendimet dhe dëshirat e tyre të dëgjohen, respektohen dhe të vlerësohen. Gjithashtu prindërit duhet të tregohen të vëmendshëm për emocionet e tyre në mënyrë që ata të mësojnë t’i kontrollojnë kur të rriten.
Vlerësimi dhe lavdërimi shkojnë dorë pas dore. Ndaj, përveç vlerësimeve është e nevojshme që fëmijët edhe t’i shpërbleni për arritjet.


4. Të drejtat
Është thelbësore të dini ndryshimin mes të drejtave dhe privilegjeve. Fëmijët duhet ta dinë gjithmonë se më të dashurit e tyre do t’ua mbrojnë të drejtat. Dhe fëmijë të lumtur janë ata që e dinë se privilegjet fitohen. Kjo e fundit vjen nëpërmjet tre hallkave: a) motivimi i fëmijës b) mësimi i përgjegjësive dhe c) vetëvendosja e rregullit.


5. Natyra
Besojini ose jo, kur nëna ju thoshte të dilnit të luanit përjashta, ajo e dinte fare mirë se për çfarë e kishte fjalën. Fëmijët duhet të kalojnë sa më shumë kohë në natyrë pasi ajri i pastër dhe aktiviteti fizik nxisin dhe zhvillojnë shpirtin e fëmijëve.
Gjithashtu, rritja e bimëve në shtëpi i bën fëmijët më të lumtur dhe i shëron më shpejt nga sëmundjet sipas Dr. Murray. Po ashtu edhe kafshët shtëpiake u japin një ndjenjë optimizmi.


6. Mos-ekspozimi ndaj dhunës
E drejtë që fëmijët nuk duhet të rriten brenda një flluske por as nuk duhet të ekspozohen ndaj dhunës si në televizor apo lojërat elektronike me dhunë pasi shkaktojnë ankth dhe stres. Fëmijëve u duhet shprehur se prindërit kujdesen dhe i mbrojnë ata. Kur ndodh të shihni fenomene të pakëndshme dhune, shpjegojini fëmijëve që gjëra të këqija ndodhin por ata janë të sigurt

7. Organizimi
Fëmijët përshtaten me rutinën dhe mjedisin ku jetojnë. Kjo krijon një ndjenjë sigurie dhe qëndrueshmërie që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin emocional. Megjithatë tregojuni fëmijëve kufijtë dhe jini të qartë për rregullat e familjes për të cilat prindërit kanë rënë dakord më parë. Asnjëherë mos u bëni palë me fëmijët dhe të luani kundër partnerit sidomos ata që janë të divorcuar. Fëmijët e kuptojnë që janë të sigurt kur prindërit e tyre i kanë nën kontroll.

Gjithsesi nuk është e thënë që me këto 7 këshilla, fëmija të rritet i lumtur. Lumturia fillon nga prindërit!

Përshtati: Kids’ Time

Share With:
Translate »
1655 Views