“Zanati” i prindërit mësohet në shkollë

NË BANKAT E SHKOLLËS, PRINDËRIT U JAPIN PËRGJIGJE SHUMË PYETJEVE MBI MËNYRËN E DUHUR PËR RRITJEN E FËMIJËVE NË DY VITET E PARA TË JETËS

Nga të qarat te lojërat 

Është leksioni i tretë i një serie prej dymbëdhjetë të tillave. Në klasa mund të jenë “nxënës” të gjithë prindërit që kanë fëmijë të vegjël deri në moshën 6-7-vjeçare, apo ata që priten të jenë prindër. Kjo nuk do të thotë se të tjerët janë të përjashtuar. Roza, 40-vjeçare, punon në muze dhe ka dy fëmijë të vegjël. Nuk ngurron të ngrejë dorën për të bërë pyetje. Pas saj, të tjera vijojnë. Atmosfera është e ngrohtë, nëna dhe baballarë me fëmijë të vegjël nisin të flasin mes tyre. Ka nga ata që mbajnë shënime. Të tjerë shkëmbejnë numrat e telefonit apo dëgjojnë me vëmendje ndonjë recetë për dhembjet e barkut të vogëlushit të tyre apo diçka të re për ushqimin. Leksionet i trajtojnë me radhë për të gjitha shqetësimet që mund të kenë prindërit: për ushqyerjen me gji, për lodrat apo për të qarat. Në të tjera qytete në vende të ndryshme të Europës, janë të ashtuquajturat “cooking communities”, shkëmbin i pjatave të gatuara mes mamave të reja apo “kafeja e prindërve”, ku lehtësisht duke shijuar edhe kafenë mund të shkëmbesh përvojat. Prindërit shkojnë në shkollë për t’u bërë prindër, ose për ta bërë më mirë këtë “zanat”. Një studim amerikan i bërë te rreth 1000 prindër, shpjegon se një në dy të tillë (nënat më shumë se baballarët e ndiejnë veten të papërshtatshme të paktën një herë në dy vitet e para të jetës së fëmijës) frikësohen se kanë zgjedhur çerdhen e gabuar apo se fëmija nuk ha mjaftueshëm, që rritet shumë i përkëdhelur apo që nuk e ndjen dashurinë e prindërve. Por të mos jesh i përshtatshëm nuk do të thotë se nuk mund të zgjidhen këto frikëra: përkundrazi, shkollat janë projektuar dhe realizuar për prindërit normalë, të sapomartuarit, beqarët apo dhe të rinjtë. Pra për të gjithë ata që duan të sigurohen përmes gjërave që mësojnë se nuk është aq e vështirë sa duket për të rritur një fëmijë. Shumë çifte i ka kapur paniku për të pasur një fëmijë dhe për këtë e shtyjnë moshën sa më vonë të jetë e mundur. Por ashtu si gjërat e tjera, përvoja është e rëndësishme. “Takimi mes prindërve të vjetër, atyre të rinj dhe atyre që duan të bëhen në një klasë është shumë i rëndësishëm. Të ndihesh se nuk je i papërshtatshëm për të bërë këtë detyrë, nuk është diçka negative. Kështu bëhen hapat e parë. Asnjë prind nuk është perfekt”, tregojnë mësuesit, që janë prindër, kërkues, psikologë. Shkolla e parë për t’u bërë prindër është hapur në Itali disa vite më parë. Kjo praktikë është shpërndarë më pas në shumë vende të Europës, si Franca, Britania, Gjermania apo edhe në Amerikë. Përveç shkollës ofrohen edhe kurse të veçanta për të gjithë ata që duan të mësojnë e ta ushtrojnë më mirë këtë “zanat”. Shumë prej tyre janë pa pagesë, ndërsa kur janë private, duhet të paguash për shërbimin e marrë. Po ashtu, shkollat lejojnë frekuentimin herë pas here të të dy prindërve. “Tani kohët kanë ndryshuar. Prindërit duhet të mësojnë të jenë vetë pediatër, të kujdesen për vaksinat apo ushqimin. Për më tepër, çdo fëmijë është ndryshe nga tjetri, ndaj edhe ata që e kanë përvojë të dytë, duhet t’u rikthehen bankave për të mësuar”, tregojnë psikologët. “Sot ne prindërit investojmë shumë te fëmijët dhe shpesh ky investim është shumë herë më i madh se në të kaluarën. Për këtë arsye ndiejmë nevojën për të studiuar”, thotë psikologia Paola Milani, e cila e shikon më se të arsyeshme që prindërit e rinj të kthehen në banka për të folur për panolinat, ushqimin dhe “playstation”. Janë të shumtë kureshtarët që duan të dinë se çfarë mund të mësohet vërtet në këto shkolla. “Nuk japim receta të gatshme, por përpiqemi të bindim këdo që të nxjerrë aftësinë që ka brenda vetes. Duam që prindërit të krijojnë një lidhje të fortë me fëmijët dhe në fund, që fëmijët të kenë një nënë apo baba më të zotë në këtë ‘profesion’. Nuk ka prindër të papërshtatshëm, por vetëm njerëz që mund të mësojnë, të kenë dyshime apo frikë”, vazhdon ajo më tej. Gjithsesi, për të gjithë ata që nuk mund t’i frekuentojnë dot këto shkolla për shkak të kohës dhe impenjimeve të shumta, ka mënyra alternative për të mësuar. Kudo mund të gjesh me qindra libra dhe manuale për sjelljen dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

 

Vështirësitë

  •  65% e nënave
  • 42% e baballarëve

JANË NDIER TË PAPËRSHTATSHËM NË 24 MUAJT E PARË TË JETËS SË FËMIJËVE

 

Frikërat më të shpeshta

31% –  TA LËNË FËMIJËN VETËM APO NË VENDE TË PAPËRSHTATSHME

48% – TË BËJNË DIÇKA QË MUND T’I NDIKOJË TE SHËNDETI

18% – KANË FRIKË SE MOS NUK DINË TA USHQEJNË NË MËNYRËN E DUHUR

Share With:
Translate »
758 Views