Skandali në Instagram: Nënat shisnin foshnjet në pamundësi financiare

Policia indoneziane ka zbardhur skandalin e shitjes së fëmijëve në Instagram. Ata arrestuan katër njerëz të përfshirë në shitjen dhe blerjen e foshnjave.

Mes të arrestuarve ishte një burrë 29-vjeçar, i cili dyshohet se menaxhonte llogarinë në Instagram, dhe një 22-vjeçare që dyshohet se kishte nxjerrë fëmijën e saj për shitje. U arrestuan gjithashtu dy individë nga Bali, një mamí dhe një blerës potencial,

Frans Barung Mangera, zëdhënësi i policisë, tha se efektivët ndërhynë në një transaksion të planifikuar në 3 tetor në Surabaya, gjatë të cilit një grua synonte të shiste foshnjën e saj për 15 milion rupiah (106,722 lekë).

Policia sekuestroi një dokument adoptimi, para dhe celularë që përmbanin mesazhe ku diskutohej shitja.

Katërshja e arrestuar përballet me 15 vite heqje lirie, sipas ligjeve indoneziane për mbrojtjen e fëmijëve.

Llogaria në Instagram, tanimë e fshirë, e prezantonte veten si një shërbim që zgjidhte problemet familjare dhe ofronte mbështetje për familjet.

Në llogari postoheshin foto grash shtatzëna, zakonisht me maska në fytyrë, gra të cilat llogaria “synonte” t’i ndihmonte përmes konsultave. Gratë shtatzënë të pamartuara konsiderohen tabu në Indonezi, një shtet kryesisht musliman. Ato zgjidhnin t’i jepnin fëmijët për adoptim si pasojë e pamundësive financiare për t’i rritur. Me më shumë se 700 ndjekës, thuhet se llogaria ekzistonte prej një viti.

Postimi i fundit daton më 15 shtator. Në foton bardhë e zi duket një bebe nën emrin “C86”. Në përshkrim shkruhet se foshnja është djalë, një muajsh, musliman dhe nga qendra e Java. Të interesuarit mund të kontaktonin administratorët në numrin e listuar.

Mangera beson se janë shitur të paktën tre foshnje në këtë mënyrë.

Një zëdhënës i Instagram tha: “Siguria e komunitetit është prioriteti ynë. Polikat e përdorimit e ndalojnë qartazi angazhimin në aktivitete kriminale përmes platformës sonë, gjë që përfshin trafikimin njerëzor. Këtë çështje e marrim shumë seriozisht dhe i fshijmë postimet e tilla në momentin që vihemi në dijeni.”

Share With:
Translate »
696 Views