A kishin të drejtë prindërit që na vunë emrat e ëndrrave të tyre?

Përgatiti Ani Jaupaj

Kur më çoi rasti te një rrobaqepëse që quhej Sarta, u çudita shumë. Nga një farë stakimi të arsyes që krijon habia, e pyeta nëse e dinte që emri i saj përkthehej rrobaqepëse?! A thua se në 50 vitet e saj, Sarta s’kishte takuar asnjë që të dinte italisht. Sarta e ka njohur vetë italishten që fëmijë, prindërit e saj jo. Ata nuk e dinin që bashkë me emrin, po i zgjidhnin të bijës edhe profesionin. E ëma e saj ishte rrobaqepëse, gjyshja e Sartës quhej gjithashtu Sarta, por fati i profesionit të saj u përcaktua krejtësisht nga rastësia.

Me sa duket, atëherë kur nuk kanë qenë ëndërrimtarë, emrat kanë funksionuar, e kanë gjetur vetë kuptimin që kanë pasur. Por sa shpesh ndodh kështu? Sa herë ëndrrat e prindërve janë të duhurat? Kam kërkuar gjatë për të njohur shembuj të tjerë si të Sartës, por nuk ia kam dal. Kam rënë vetëm në gjurmë fëmijësh që mbajnë emrat e ëndrrave të prindërve, por që kanë zgjedhur ëndrra të tjera, ato të tyret.  Sidoqoftë, njoha gjatë këtyre kërkimeve Bobin, djalin e Dashnor Dikos. I biri nuk u bë fare si Bob Dylan, muza e të atit, sado që  sportiviteti dhe lehtësia e tingullit të emrit që mban, ia vlejtën edhe pa u bërë fare muzikant. Njoha Rembrandtin, djalin e piktorit Agron Dine që megjithëse në fëmijëri iu afrua rrugës së pikturës, zgjodhi më pas arkitekturën, i diktuar mbase edhe nga dëshira e babait të tij. Të bijën, Agron Dine e quajti Tiziana, duke i përshtatur gjinisë emrin e piktorit rilindas, Tiziano Vecelli. Këtë herë qëlloi në shenjë! Tiziana studioi artet dhe u bë piktore, si i ati, madje, iu qas edhe frymës që i diktonte paraardhësi i saj venecian.

Në rastin e arteve, ngaqë atmosfera në të cilën janë rritur fëmijët e prindërve piktorë a muzikantë, ka qenë e njëjtë me atë të emrit dhe nuk kanë pasur shumë shtigje për t’u larguar nga ëndrra e prindit, shpesh herë ka funksionuar. Por historia në Shqipëri, sidomos gjatë viteve të komunizmit, ka treguar që asnjë Enver, Flamur a Mehmet nuk ka qenë i denjë për ëndrrën e babait (kryesisht) të tij!

As kur gjithë personazhet e romaneve të Stendalit, Remarkut a Hygoit zunë të mbushnin rrugët e Shqipërisë, nuk u pa ndonjë e mirë, përkundrazi! Brumosja me heroina librash, ca vite më vonë, këto të fundit kryesisht, solli vetëm dëme që po përkthehen në xanax.  Disa vite më parë kam njohur Sergein, punonte në një bar, por i thërrisnin Xhoni! Babai, për shkak të lidhjes me letërsinë, e kishte quajtur Sergei, por të gjitha rrethanat e të birit stononin me ‘barrën’ e emrit të tij dhe shokët i kishin rënë shkurt.

Shembujt mund të jenë pafund, njëlloj si ëndrrat, që në fund, kanë pasur vetëm qëllime të mira, si atëherë kur, në një rast tjetër, një punëtor krahu në Bathore, vendosi ta quajë të birin Miliarder.

Sot, procedura është më e sofistikuar, por në thelb ngelet po ajo! Prindërit gërmojnë nëpër gjuhë të harruara për kuptime më përgjithësuese, që e afrojnë emrin me dukuri të mbinatyrshme natyrore a qiellore. Thana në shëndre! Fëmija yt, o zotëri, dhe ti moj zonjë, me gjithë të mirën që i do e i ndjell, as nuk do të përsërisë historinë dhe as nuk do të bëhet ylli që ke shquar ti në qiell. Mendoni për ëndrrën e fëmijës, jo tuajën!

Share With:
Translate »
82 Views