Andresa Ambrosio: Ju rrëfej rrugëtimin më të ëmbël të jetës sime!
Jeta është e bukur, e brishtë në skaje dhe e çuditshme në rrjedhën e saj. Herë përshkrohet nga një vendim, herë të tjera nga fati e në disa herë nga situata që thjesht nuk i shpjegojmë dot. Një biletë avioni mund të duket gjëja më normale në botë, por për disa konsiderohet si ndryshim i jetës, dhe nga ato ndryshimet që lënë gjurmë përgjithmonë. Vite më parë, në Shqipëri erdhi një vajzë që dukej se mbi gjithçka tjetër, energjinë e kishte me tepri. Buzëqeshja e saj nisi të mbushte shpejt studion e “Telebingos” për t’u bërë pjesë e pandashme e saj. Andresa, vajza bukuroshe braziliane bëri pak vend për veten, pastaj më shumë dhe tanimë të gjithë e njohim, të gjithë e duam dhe e identifikojmë me natyrën e saj argëtuese. Ishte po ajo biletë ardhjeje për në Shqipëri që i dhuroi edhe dashurinë e jetës, babain e fëmijës që do të vijë në jetë, Mirkon. E do Shqipërinë, por edhe Shqipëria e do Andresën. Kësisoj kjo është bërë shtëpia, vatra e saj. Në një rrëfim të sinqertë për revistën “Who”, Andresa i tha të gjitha, po-po, të gjitha…
Si ishte viti 2022 për ty?
Viti 2022 ishte një përzierje emocionesh, (hormonet e shtatzënisë) por në këtë vit arrita të realizoj qëllimin tim më të madh, po pres të bëhem nënë.
Do të bëhesh nënë dhe ky natyrisht është bekimi më i madh, si e more lajmin, cili ishte personi i pare të cilit ia the?
Ne kishim kohë që po përpiqeshim të bëheshim prindër. Shtëpia jonë ishte plot me teste shtatzënie. Sapo e kuptova se testi ishte pozitiv, ia thashë menjëherë Mirkos.
Ke qenë 5 muajshe kur vendose ta bësh publike shtatzëninë, pse ky vendim, je natyrë supersticioze?
Në fillim nuk isha aspak supersticioze, por dhjetorin e kaluar unë humba një fëmijë, kështu që preferova ta mbaja sekret sa më shumë të mundesha. Siç bëjnë shqiptarët, u ndikova nga traditat shqiptare.
Si kanë kaluar këto muaj?
Këto muaj kanë qenë magjikë. E uritur gjithë kohës. Nuk mund të shihja njerëz duke ngrënë sepse iu kërkoja ta ndanin me mua.
Jeton prej më shumë se një dekade në Shqipëri, çfarë të solli këtu dhe çfarë të mban këtu?
Erdha këtu me idenë që të njoh botën me punën time dhe ndërkohë që në aeroportin e Romës njoha babain e ardhshëm të fëmijës tim. Unë vazhdoj të qëndroj në Shqipëri sepse zemra ime është këtu. U bëra shqiptare tani.
Çfarë ke mësuar nga Shqipëria?
Këtu në Shqipëri kam mësuar dashurinë për familjen dhe rëndësinë e të paturit familjen time.
Ti je bërë bërë pjesë e televizionit, ke krijuar një imazh tëndin, si ka qenë rrugëtimi yt në këtë fushë?
Ishte një rritje e vazhdueshme e papritur. Po aq e këndshme sa të shkosh me pushime me një mik. Dashuria e popullit shqiptar nuk ka të paguar. Shqiptarët më kanë ndaluar në çdo pjesë të botës ku kam shkuar, përfshirë këtu Gjermaninë, Italinë, Austrinë. Ishte e pabesueshme për mua të dëgjoja emrin tim “Andresa e Telebingos”. Më kanë respektuar pafund kudo që kam shkuar.
Çfarë i ka dhënë Andresa televizionit dhe televizioni Andresës?
Kam dhënë më shumë se 100% nga vetja. Përfshijmë këtu profesionalizimin, unë humba fëmijën tim dhe buzëqeshja nga jashtë, ndërkohë që nga brenda isha e vdekur. Televizioni më dha dashurinë dhe respektin e njerëzve.
Cili ka qenë viti më i vështirë i yti në Shqipëri?
Viti më i vështirë ka qenë viti 2021, kur humba fëmijën.
A ka shumë miq Andresa këtu, a është rrethi yt shoqëror i madh këtu apo shumë i përzgjedhur?
Miqësia është fjalë spekulative. Unë kam një numër të kufizuar miqsh. Nuk është çështje selektive. Un jam një person i rezervuar dhe e kam vështirë të hapem. Jam zhgënjyer shumë në të shkuarën. Kështu që preferoj të kem njerëz të besueshëm afër.
Ti ke një histori të gjatë dashurie me partnerin tënd, së shpejti do të bëheni prindër, si ka qenë njohja juaj?
U takuam në aeroportin e Romës. Unë do të vija në Tiranë për të punuar dhe Mirko jetonte këtu ndërkohë. Filloi të më shihte dhe në avion ishte para meje. Pas 5 minutash, u dashurova me trupin e tij.
Si e ke kuptuar se ai është i “duhuri”?
E dija që kur nisëm të flisnim. Truri i tij më pushtoi për 5 minuta.
Kur do të kemi një dasmë?
Nuk ka dasmë për momentin.
A ka qenë ai një mbështetje e madhe e jotja?
Sigurisht. Ai është mbështetja ime më e madhe.
E mendon largimin nga Shqipëria një ditë, apo do ta rrisësh djalin këtu?
Dikur do të isha përgjigjur “Po”. Sot Shqipëria është shtëpia ime. Përsa i përket rritjes së fëmijës, për momentin Shqipëria është vendi ynë.
Po familja jote si ka qenë gjatë këtyre viteve që ke jetuar këtu, mbështetëse apo skeptike ndaj faktit që jeni edhe shumë larg?
I vetmi person që mund të ishte skeptik, ishte gjyshja ime. Ajo ndërroi jetë pak para se të vija në Shqipëri.
Si e mendon jetën si nënë, e ke imagjinuar gjatë këtyre muajve?
Si një i verbër që shkon për të qëlluar.
Cila është gjuha e parë që do të mësojë djali?
Do t’i mësojmë të dyja gjuhët, italishten dhe portugalishten.
A ka një këshillë që ti e ke marrë në jetë dhe dëshiron që djali yt ta ketë shumë parasysh në formimin e tij?
Dua që ai të dijë që askush nuk mund tia vërë këmbën në kokë. Ti nuk je më i mirë se të tjerët dhe të tjerët nuk janë më të mirë se ti.
A do të rikthehesh në ekran?
Unë jam e hapur për propozime të reja.
E ke menduar një projekt televiziv plotësisht tëndin?
Jo, por do të doja të bëja një projekt me njerëz që të bëjnë për të qeshur. Gjithmonë kam qenë ironike dhe kam i kam bërë të tjerët për të qeshur. Kjo jam unë dhe kështu më pëlqejnë njerëzit.
Çfarë pret nga viti 2023?
Shëndet për familjen time, paqe dhe mirëqenie.