Arona Zyberi, aktorja e vogël shqiptare që po e shijon magjinë e tapetit të kuq në Venecia

Kur ka filluar xhirimet për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Vera andrron detin”, Arona Zyberi ishte vetëm shtatë vjeçe, dhe me këtë moshë të vogël kishte hyrë në sheshxhirim me aktorë shumë profesionistë shqiptarë, shkruan KulPlus.

Dhe tashti, pikërisht ky film me regji të Kaltrina Krasniqit që premierën botërorë e pat në festivalin më të vjetër të filmit në botë, në festivalin e Venecias, për flokëkuqen duket që titulli i këtij filmi po përkon shumë. Përderisa filmi bart një titull shumë provokues “Vera andrron detin”, për Aronën po shihet se po ëndërron dyert e mëdha të kinematografisë, pasi që, me vetëm dhjetë vjet, ajo parakaloi në tepihun e kuq të Festivalit të Venecias, për tu shndërruar kështu aktorja më e vogël në historinë e kinematografisë kosovare që merr pjesë në një festival kaq prestigjioz.

“Kur kam kuptuar se filmi “Vera andrron detin” ka me marr pjesë në një festival të madh, e kam kuptuar se paskam bërë një punë të mirë, përderisa më kanë ftuar në Venecia”, ka thënë Arona Zyberi për KultPlus, e cila shprehet të jetë e emocionuar për parakalimin e saj në këtë festival kaq të madh, e cila ka qenë e shoqëruar me regjisoren Kaltrina Krasniqi dhe aktorët e filmit.

“Parakalimi në tepihun e kuq më ka dhënë një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, sepse më kanë treguar se kjo nuk ndodhë shpesh”, ka thënë Arona, e cila këtë projekt nuk e ka të parin, por më të rëndësishmin për karrierën e saj të sapo nisur.

Ajo tregon se deri tash ka marr pjesë edhe në filma të tjerë dhe në disa reklama televizive, por filmi “Vera andrron detin” i ka dhuruar njërin nga rolet kryesore, atë të Hanës, dhe me këtë rol duket se po shkëlqen bashkë me ekipin tjetër të filmit.

Xhirimet për filmin, Arona i ka përfunduar në vitin 2019, dhe tash si dhjetë vjeçe po shijon angazhimin e saj në këtë film, që për dhjetë ditë ka qenë në sheshxhirim.

“E mësoj tekstin shpejt, dhe rrallë më ndodhë që të më përsëriten skenat, ndoshta edhe për këtë arsye po e kanë të lehtë me punu me mua”, ka thënë Zyberi, e cila kujton se ka xhiruar nga shtatë deri në tetë orë, por nuk është ankuar. Ajo atë periudhë e kujton si të lodhshme, por shumë argëtuese.

Arona Zyberi po qëndron bashkë me ekipin e filmit në Venecia, film që është nominuar në disa kategori, dhe mbrëmjen e ndarjes së çmimeve është duke e pritur me mjaftë emocion, duke uruar që të kthehen për Kosovë me ndonjë çmim./

Share With:
Translate »
23 Views