Çfarë vjehrre do të jetë Gili? Artistja zbulon dëshirën e madhe për të pasur një nuse si vajzën e saj

Këngëtarja e njohur, Gili ka qenë pasditen e sotme e ftuara speciale e gazetarit Ervin Kurti në programin e ditës së dielë, ‘E diell’ në ekranin e ‘Top Channel’.

E pyetur rreth karrierës së saj, baladave të dashurisë, marrëdhënies me bashkëshortin dhe fëmijët, artistja shumë e dashur për publikun shqiptar, është përgjigjur pa asnjë kompleks.

Gili ka pohuar se me kolegët e saj gëzon një marrëdhënie njëjtë si ajo familjare, pasi bashkë kanë kaluar periudha koncertesh të shumta edhe gjatë kohës kur kishin probleme me dokumentat për të lëvizur jashtë vendit. E pyetur nëse ka pasur ndonjëherë kriza bashkëshortore me partnerin e saj në kaq shumë vite, Gili tregoi se si çdo marrëdhënie ka ulje ngritjet e veta, por të gjitha kanë qenë kalimtare pasi fëmijët i kanë ndihmuar të ruajnë balancën dhe të kujtojnë se nuk janë më të vegjël tashmë.

Në këte moment artistja nuk i shpëtoi dhe pyetjes nëse i ka ngelur pishman që nuk ka një vajzë, por vetëm dy djem. Gili është shprehur se një ditë do ta ketë vajzën e shumëdëshiruar në momentin që djali do të marrë nusen e tij dhe se ajo do ta dojë shumë e nuk do të ketë asnjë diferencim nga fëmijët e saj. Këngëtarja shtoi se dëshiron shumë që djemtë t’i sjellin nuset e tyre në shtëpi, e që prej atij momenti ato nuk do të dalin nga ajo derë pasi e quan veten një njeri tradicional.

Gili shtoi e lumtur se në çdo vend ku ka performuar ka lënë një shtëpi dhe njerëz që e duan njëjtë si ditën e parë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe plot emocione në skenën shqiptare.

Artistja është kthyer pas në kohë duke performuar së bashku me Ervinin, disa nga këngët më të dashura për publikun ndër vite si ‘Kur u ndamë’, ‘Me kast’, ‘Barbi kukulla’ etj.

Share With:



295 Views