Cilat janë simptomat e fruthit dhe si mund ta parandalojmë

Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar. Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.

Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.

Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse dyshoni se keni disa shenja të fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë. Në këtë rast ju duhet të bëni vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin. Këshillohuni me mjekun tuaj për këtë.

Cilat janë simptomat e fruthit?
Shenjat e përgjithshme të këtij infeksioni përfshijnë:
• Kollë
• Temperaturë
• Skuqje të syve
• Dhimbje muskulare
• Dhimbje fyti
• Disa njolla te bardha në gojë
• Rrufë

Ndër shenjat më karakteristike të kësaj sëmundje është një skuqje (rash) e lëkurës që përhapet në të gjithë trupin. Kjo skuqje shfaqet që në ditët e para të infeksionit, fillimisht në fytyrë dhe kokë e më pas përhapet dhe në trup.

Kush është më i rrezikuar nga fruthi?
Numri i të sëmurëve me fruth ka patur rënie në dekadat e fundit, por sëmundja nuk është eliminuar plotësisht, për shkak të hendeqeve të krijuara nga mosvaksinimi.
Fruthi prek kryesisht fëmijët e pavaksinuar. Disa prindër kanë zgjedhur të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, apo të shtyjnë vaksinimin nga frika e efekteve anësore. Studimet e shumta tregojnë që vaksinat janë shumë të sigurta dhe shumica e fëmijëve dhe të rriturve të vaksinuar nuk kanë shfaqur efekte anësore.

Cilat janë ndërlikimet e fruthit?
Fruthi mund të bëhet një sëmundje serioze për të gjitha grup-moshat. Megjithatë, fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç, mund të shfaqin ndërlikime më të rënda të kësaj sëmundje.
Ndërlikim i zakonshëm i fruthit është infeksioni i veshit. Ky ndërlikim prek 1 në 10 fëmijë me fruth dhe mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit.
Disa persona mund të shfaqin ndërlikime të rënda të fruthit si: pneumonia (infeksion i mushkërisë), apo encefaliti (infeksioni i trurit). Këto ndërlikime kërkojnë trajtim të specializuar në spital dhe mund të shkaktojnë vdekjen, pavarësisht trajtimit intensiv.
• 1 në 20 fëmijë me fruth shfaq pneumoni dhe ky është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga fruthi te fëmijët.
• 1 në 1000 fëmijë zhvillon encefalit, që mund të shkaktojë konvulsione dhe mund të çojë në vdekje, apo paaftësi intelektuale të mëvonshme.
• Ndodhin 1-2 vdekje, për çdo 1000 të sëmurë me fruth.
• Fruthi tek gratë shtatzëna shkakton lindje parakohe, bebe me peshë të vogël në lindje apo defekte të lindura të fetusit.

Si mund ta parandalojmë fruthin?
Vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimin e fruthit. Vaksina MMR (Fruth-Rubeole-Parotit) është një vaksinë që e mbron fëmijën tuaj nga tri sëmundje njëherësh. Fëmijët e marrin vaksinën e parë të fruthit në moshën 1 vjeç, dhe dozën e dytë të saj në moshën 5 vjeç. Të rriturit të cilët nuk janë vaksinuar asnjëherë ndaj fruthit, apo kanë marrë vetëm një dozë vaksinë gjatë jetës, mund ta bëjnë këtë vaksinë pranë qendrave shëndetësore përkatëse.

Këshilla:
Të evitohen përqendrimet në urgjencën pediatrike të QSUT. Jemi në sezon virozash dhe çdo ekspozim i panevojshëm rrit mundësinë edhe për t’u infektuar nga fruthi. Për çdo shqetësim drejtohuni në qendrat shëndetësore pranë zonës suaj dhe kontaktoni mjekun pediatër, ose mjekun tuaj të familjes.

Share With:
Translate »
1842 Views