Dalin të tjera raste të abuzimit seksual të fëmijëve

Mëngjesin e së enjtes policia e Gjirokastrës prangosi një 53-vjeçar pasi dyshohet se prej kohësh abuzonte seksualisht me një minorene 16 vjeç. Ata kishin lidhje familjare me njeri tjetrin dhe abuzimi zgjaste prej të paktën 4 vitesh.

Në të njëjtën ditë Gjykata e Lushnjës vendosi masën arrest me burg për Fisnik Halilin, një 19-vjeçar nga Cërriku, i cili akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 11 vjeçare nga Lushnja. Avokatja mbrojtëse e të riut hodhi poshtë akuzat ndërsa do të jenë ekzaminimet mjekësore që do të thonë fjalën e fundit.

Për psikologen Arjana Muçaj edhe pse ka një rritje të numrit të rasteve që referohen në gjykata për ngacmim dhe abuzim seksual, këto janë vetëm maja e ajsbergut.

“Këto shifra nuk pasqyrojnë realitetin, një pjesë nuk bëhen të ditura nga familjarët, janë elementë të kulturës shqiptare që të ngrejë zërin dhe ta bëjnë publikisht rastet. Pikërisht sepse shikohet si një problem familjar që duhet trajtuar vetëm brenda familjes, dhe nuk merret parasysh se çfarë dëmi i është bërë fëmijës”.

Me shqetësim psikologia sheh mungesën e rehabilitimit të personave abuzues pas kryerjes së dënimit.

“Ligji nuk e parashikon një gjë të tillë. Ne kemi ecur deri tek pjesa e dënimit, kemi ashpërsuar masën e dënimit, por ne nuk e dimë se çfarë bën individi pasi e kryen dënimin. Kërkohet mbajtja nën vëzhgim për një periudhë kohore. Flasim për persona që janë problematike, si pedofilët, që edhe pas dënimit mund të përsërisin të njëjtat akte”.

Vetëm në gjykatën e Tiranës prej janarit janë shqyrtuar 3 çështje të veprës penale marrëdhënie me seksuale dhe homoseksuale me të mitur ndërsa për 2 prej tyre ka vendim fajësie.

Share With:
Translate »
209 Views