Deformimet e kockave të kokës tek bebet, shkaktarët dhe parandalimi

Deformimet e kockave të kokës së femijëve, ndodhin zakonisht te fëmijët e porsalindur. Por, cilat janë shkaqet që bëjnë që këta fëmijë të kenë këtë problem, si trajtohet, dhe a ka ndikim plagiocefalia (deformimi) te zhvillimi i trurit të fëmijës? Si duhet t’i vendosim bebet të flenë që mos të zhvillohet problemi i deformimit të kockave të kokës? 

Shpeshherë një i porsalindur mund të ketë një formë të kokës jo të zakonshme. Përse ndodh kjo, doktoreshë?
Kjo mund të shkaktohet nga pozicioni që merr bebi në barkun e nënës para lindjes ose koka e bebit mund të marrë një formë jo të zakonshme gjatë aktit të lindjes. Rimodelimi i kokës gjatë lindjes ndodh kur nga presioni në kanalin e lindjes kockat e kafkës së kokës futen tek njëra- tjetra në mënyrë që koka e bebit të levizë më mirë në rrugët e lindjes. Koka e bebit do të marrë një formë më normale aty nga java e 6-të pas lindjes. Në këtë moshë bebi duhet të jetë në gjendje edhe të levizë kokën nga njëra anë tek tjetra. Megjithatë në disa raste, gjate javës së 6 apo 8 pas lindjes një bebe mund të mos ketë formë koke të rrumbullakët, por të ketë një pjesë të shtypur në pjesën e pasme të kokës apo anash saj. Kjo formë koke jo e zakonshme quhet në gjuhën mjekësore plagiocephaly.

A ndikon plagiocefalia në zhvillimin e trurit të fëmijës?
Plagiocefalia nuk ndikon mbi rritjen dhe zhvillimin e trurit të fëmijës suaj, por mund të shkaktojë deformime në fytyrën dhe kokën e femijës.

Cilat janë shkaqet e shkaktimit të këtyre deformimeve?
Kockat e kokës së një të porsalinduri janë të holla dhe të përkulshme, kështu që kafka mund të ndryshojë formë me lehtësi nëse ka një presion të vazhdueshëm në një pjesë të saj për një kohë të gjatë. Sheshimi i pjesës së mbrapme të kokës ose të pjesës anash ndodh kur fëmija shtrihet me kokën gjithnjë në të njejtin pozicion për një kohë të gjatë. (për shembull i shtrirë në shpinë me kokën që sheh gjithnjë nga sipër ose gjithnjë të kthyer nga e njëjta anë). Presioni i ushtruar nga pesha e kokës së fëmijës do të shkaktojë deformimin. Ndonjëhërë një nga muskujt e qafës së bebit është shumë i fortë dhe e detyron kokën e bebit të kthehet gjithmonë nga e njëjta anë.

Cili është ndryshimi i një koke normale dhe një koke të deformuar?
Tek bebet më formë kokë normale pjesa e mbrapme e kokës është rrumbullakë, veshët janë simetrike dhe fytyra duket njësoj në secilën anë. Kur koka deformohet do të ketë një sipërfaqe të sheshtë në njëren anë në pjesën e mbrapme të kokës, njëri vesh në pamjen përpara do të duket përpara tjetrit dhe e njëjta gjë dhe për fytyrën.
Ky deformin bën që bebi edhe kur mbahet në krahë ta ketë të vështirë të kthejë kokën nga ana a kundërt e deformimit. Ju do të vini re se bebi e mban kokën gjithë kohës në të njejtën anë. Një numër shumë i madh bebesh mund të kenë një pjesë të vogël të kafkës të sheshtë, mos u trembni, kjo është e zakonshme dhe nuk përbën plagiocefali nëse pjesa tjetër e kokës nuk ka deformim.

Si mund të bëhet parandalimi i deformimeve të kokës?
Me pak kujdes nga ana e nënës apo personit që kujdeset për bebin këto deformime mund të parandalohen lehtë. Koka e bebit duhet të mbahet në pozicione të ndryshme kur bebi është në gjumë ose zgjuar sidomos 6 javët e para të jetës. Gjatë gjumit bebet duhet gjithnjë të vihen të flenë në kurrizin e tyrë ose anash dhe asnjëherë përmbys. Kjo ul ndjeshëm vdekjet nga sindromi i vdekjes së papritur të bebeve (SIDS). Vendosni kokën e bebit anash në të djathtë për një pjesë të kohës së gjumit dhe anash në të majtë për pjesën tjetër. Vendoseni beben herë nga njëra anë e herë nga ana tjetër e krevatit të tij ose lëvizeni krevatin në pozicione të ndryshme nëpër dhomë. Kjo do të bëjë që bebja të shikojë objekte të ndryshme duke e stimuluar të levizë kokën në drejtime të ndryshme.
Mund ta vendosni beben tuaj përmbys për një farë kohe, kur ajo është zgjuar gjithnjë duke qenë ju pranë. Mund të filloni ta lini përmbys që në javët e para pas lindjes. Në fillim bebi mund të mos jetë shumë komod në këtë pozicion, por ndërsa rritet dhe i forcohen muskujt do ta pranojë këtë pozicion me me shumë kënaqësi. Kjo është e mirë edhe për zhvillimin e muskujve. Kur është shtrire në kurriz lëvizjani lodrat që bebi pëlqen nga njëra anë tek tjetra në mënyrë që të ktheje kokën.

Po mbajtja në krahë për një kohë të gjatë është e dëmshme?
Absolutisht jo. Kur ju e mbani bebin në krahë drejt kjo gjithashtu ndihmon në uljen e presionit që ushtron koka mbi kockat duke parandaluar deformimet.

Si mund të trajtohet plagiocefalia?
Nese bebi ka mbushur 6 javë dhe përsëri ju jeni të shqetësuar për formën e kokës së bebit tuaj ose kur vini re se bebi e kthen kokën vetëm në një anë atëherë drejtojuni pediatrit të konsultorit apo mjekut të qendrës suaj shëndetësore. Plagiocefalia është shkaku më i shpeshtë ideformimeve të kokës, por mund të ketë edhe shkaqe të tjera më të rralla. Pjesa me e madhe e fëmijëve me plagiocefali nuk kanë nevojë për trajtim. Forma e kokës së tyre do të bëhet më e rrumbullakët me kalimin e kohës ndërsa ata rriten. Nëse koka e bebit ka deformime mjaft të dukshme është e rëndesishme të shihet dhe të drejtohen tek një specialist sa më shpejt. Ai mund t’ju rekomandojë që bebi të mbajë për një kohë të gjatë një pajisje të veçantë në formë helmete në kokë në mënyrë që të rregullohet forma e kokës. Megjithatë përsëri është e nevojshme të ndiqen këshillat më sipër si për kohën e gjumit, qëndrimit dhe lojës. Mund të bëhen ushtrime stretching (tërheqje) shumë butë të muskujve të qafës sepse këta muskuj forcohen duke e mbajtur kokën bebi për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion. Këto ushtrime duhet të udhëhiqen nga një fizioterapist. 

Share With:
Translate »
5454 Views