Del në shitje kopertina origjinale e librit “Harry Potter”, shifra synon rekordin
Romani “Harry Potter dhe Guri Filozofal” i publikuar më 1997 nga J.K. Rowling ishte vetëm fillimi i një fenomeni mbarëbotëror. Tani ilustrimi origjinal i botimit të parë po del në shitje.
Muajin tjetër do të dalë në ankand dhe pritet të shitet për 600.000 dollarë, vlera më e lartë e paracaktuar në një objekt të lidhur me Harry Potter-in, sipas shtëpisë së ankandeve, Sotheby’s.
Ilustrimi me bojëra uji është krijuar nga Thomas Taylor. Në të shihet Harry Potter i vogël, me flokët e tij të errët, syzet e rrumbullakëta dhe shenjën e vetëtimës, gati për të hipur në trenin e Hogwarts-it për në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë.
Kopertina është përdorur në disa përkthime të librit. Megjithatë, nuk u përdor për botimin në SHBA që doli me titullin “Harry Potter dhe Guri i Magjistarit”.
Kur ilustrimi doli në ankand në Londër në 2001 u shit me shifrën rekord 106.000 dollarë. Në qershor, më shumë se 20 vite më vonë, ilustrimi origjinal rikthehet në ankand jo vetëm duke tejkaluar shifrën e mëparshme të shitjes, por edhe për të vendosur një rekord të ri.
Deri më tani rekordi mbahet nga një botim i parë i pafirmosur i “Harry Potter dhe Guri Filozofal”, i shitur për 421.000 dollarë në Dallas, Teksas në vitin 2021.