Delinda Disha suprizon 16-vjeçaren që jeton mes vuajtjeve dhe i bën një premtim

Aktorja e humorit, Delinda Disha, ka qenë ajo që ditën e sotme në programin “Historia Ime” ka surprizuar 16-vjeçaren nga Nikla, e cila tha se emisioni i humorit në Tv Klan, “Klanifornia”, ishte një ndër kënaqësitë e saj më të mëdha në jetë. Disha i bëri një premtim dhe i tha se nëse ajo do të dëshirojë të ndjekë rrugën e artit në të ardhmen, ajo do të jetë e gatshme ta ndihmojë dhe ta përgatisë drejt Universitetit të Arteve.

Mirela Milori: Zamira është një vajzë që jeton në një fshat të Niklës dhe ka një jetë pak të vështirë. E vetmja gjë e bukur në jetën e saj është Klanifornia.

Delinda Disha: Unë jam shumë e lumtur që një nga dëshirat e tua u plotësua. Unë të uroj shumë suksese.

Mirela Milori: Ti e shikon kështu Delindën, por më pas ajo shndërrohet, më bën mua, bën Alketën. I bën të gjitha, por mbi të gjitha është një gocë me zemër.

Delinda Disha: Zamira unë të uroj shumë suksese. Duhet të gjesh forcën brenda vetes. Mos harro, gjërat ndodhin për një gjë. Dhe nëse të ka ndodhur, nuk do ta quaja fatkeqësi, duhet të gjesh besimin dhe forcën për të vazhduar përpara, të bëhesh një femër e fortë, në të ardhmen të jesh një nënë e fortë dhe një femër e suksesshme.

Zamira: Faleminderit.

Mirela Milori: Ajo do të bëhet mësuese, dëshiron shumë që të bëhet mësuese dhe unë uroj të bëhesh një mësuese ashtu siç doje për ata fëmijët që the që janë të pamundur, për ata fëmijët që lihen te cepi, për ata fëmijët që lihen në hije. Kështu që nga ky emision nuk do të ikësh zemërthyer, me ato situatat e tua, por do të ikësh me besimin që do t’i arrish ato që ke në mendje.

Zamira: Kam një thirrje për Fundjavën Ndryshe që të më ndihmojë, pasi kur ishte mami gjallë erdhën njëherë na ndihmuan dhe erdhën përsëri njëherë pas vdekjes së mamit. Jam munduar të kontaktoj me ta, por ka qenë e pamundur. Iu kam shkruar, por…

Mirela Milori: Edhe me Fundjavën Ndryshe do të kontaktojmë ne dhe do të bëjmë të mundur edhe kontaktimin tënd me ta, që të bindesh se Fundjava do të të ndihmojë. Dhe Mirela po të ndihmon. Të gjithë ne do të ndihmojmë që të jesh ti ajo që do të vazhdosh përpara. Të jesh ti ajo që do t’i mbarosh ato vitet e gjimnazit që të kanë mbetur dhe pastaj, kur të kryesh shkollën e mesme do të vendosesh se çfarë do të bësh me jetën tënde, por nuk do ta lesh shkollën, pavarësisht gjithë vështirësive që ke.

Zamira: Jam munduar shumë herë ta lë, por babi më ka shtyrë që të mos e lë sepse askush s’do më marrë në punë. Jam munduar të hy në punë gjatë muajve të verës. Askush s’më merr.

Delinda Disha: Do të kesh nevoja ekonomike, por investo fillimisht tek dija, që në të ardhmen të bëhesh ajo zysha që do të transmetosh dijen, që do të fitosh gjatë rrugëtimit tënd.

Mirela Milori: Çfarë roli të pëlqen më shumë nga Delinda?

Zamira: Çdo gjë më pëlqen, çdo gjë nga Klanifornia dhe jam munduar në shtëpi me babin ta imitoj. Kam një lidhje me artin dhe zyshat në shkollë kanë rritur interesimin ndaj artit, por…

Delinda Disha: Unë jam gati të të propozoj, nëse aktrimin e ke me shumë pasion, kur të mbarosh shkollën e mesme dhe nëse të ndryshon mendja dhe nuk do të bëhesh mësuese, unë do të marr përsipër që të të përgatis për të konkurruar në Universitetin e Arteve. Ky është një premtim që unë do ta mbaj, nëse është dëshira jote që të vazhdosh rrugën e artit.

Mirela Milori: Pra, fitove një mik psikolog, fitove një mik jurist. I ke më të mirët këto në Tiranë. Fitove një aktore nga ato të mëdhatë që vinë rrallë. Një aktore sa për dhjetë është kjo në Klanifornia, që të gjitha i bën.

Delinda Disha: Fitove dhe një Mirelë me zemër të madhe që është e gatshme të ndihmojë çdo njeri

Share With:
Translate »
785 Views