Dy këngëtarë shqiptarë qenkan binjakë, por prindërit e kanë falur njërin fare të vogël
Të dy veç e veç, me siguri të gjithë i njohin. Muzikën e tyre, jo domosdoshmërish mund ta pëlqesh, por në shumë prej bashkëpunimeve me emra të njohur të muzikës së lehtë apo asaj popullore, vështirë të jesh indiferent.
Mandi i Nishtullës dhe Marsel Ademi janë dy emra të njohur për muzikën turbufolk. Prej vitesh ata janë të pranishëm në muzikën live në kryeqytet apo edhe në koncerte e ftesa në diasporë. Po ashtu, sjellin vazhdimisht edhe projekte të reja në bashkëpunim me këngëtarë e emra të tjerë të njohur.
Sa herë kanë një material të ri për të prezantuar, një ‘shtëpi’ promovuese është edhe programi “Zonë e lirë” në Tv Klan, në të cilin Mandi dhe Marseli kanë qenë të pranishëm shpesh.
Sonte, i ftuar ishte Marsel Ademi, së bashku me Lamar al Koismi për të prezantuar projektin e ri, “Stil”.
Si përherë, Çani nuk e la të ikte Marselin pa e pyetur për muzikën që bën, për projektet e reja, për fitimet, por edhe për jetën private.
E ndërsa Marseli nuk refuzoi asnjë pyetje, Çani kërkoi të dijë edhe për marrëdhënien që ka këngëtari me Mandin e Nishtullës. Siç rrëfeu Marseli, ai dhe Mandi janë vëllezër binjakë, por janë ndarë qysh fëmijë nga familjarët.
Një fenomen i njohur rëndom në traditat tona ka qenë edhe dhurimi i fëmijës një familjari nëse ky i fundit nuk mund të kishte fëmijë. Edhe Marseli pati këtë fat. Ai iu bë ‘dhuratë’ dajës së vet kur ishte bebe. Të vërtetën e mësoi kur ishte 8 vjeç, por as atëherë dhe as më vonë, për të nuk ndryshoi gjë. Edhe sot, krenar për ata që e kanë rritur, Marseli e ndan me të gjithë dashurinë për prindërit e tij: “Unë jam ky që jam falë prindërve të mi. Më kanë rritur me të gjitha të mirat dhe u jam shumë mirënjohës.”
Por jeta tregoi se nuk mund të ishte larg as vëllait të tij binjak. Megjithëse rrugët u ndanë qysh në djep, vitet treguan se si Mandi, edhe Marseli nuk mund të rrinin dot larg fatit të tyre. Aq më tepër kur bashkë me ta ecën paralelisht pasioni për muzikën.