E trishtë | Koronavirusi i merr jetën mësueses 40-vjeçare në Elbasan
Blerina Lamçja (Hoxholli), një mësuese në Elbasan ka humbur jetën nga Koronavirusi. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Evis Kushi, me anë të një postimi në rrjete sociale.
“Të dashur miq,
Jam shumë e hidhëruar për ndarjen nga jeta të mësueses Blerina Lamçja (Hoxholli) në shkollën speciale “Zëra Jete” në Elbasan. Blerina e humbi betejën me Covid-19 në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas trishtim jo vetëm tek familja e saj, kolegët dhe miqtë që e kanë njohur nga afër, por edhe nxënësit e shkollës, për të cilët Blerina punonte me aq shumë përkushtim e dashuri.
Ky lajm duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve që rreziku nga virusi është ende mes nesh, prandaj shërben si një apel i fortë që të mos i neglizhojmë për asnjë moment vaksinimin dhe respektimin e protokolleve shëndetësore”, ka shkruar Kushi.