E varrosën babanë me nderime, të afërmit shokohen pas telefonatës nga Berlini

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Turqi, ku fëmijët e të afërmit e një 78-vjeçari që kishte humbur jetën në Berlin të Gjermanisë u shokuan pasi një telefonatë u tha se në fakt, personi që ata kishin varrosur nuk ishte babai i tyre.

Sipas “Hurriyet” gjatë transportit për në Turqi, trupat e dy turqve që kishin vdekur në Berlin ishin ngatërruar me njëri-tjetrin.

78-vjeçari Halis Cesurun kishte ndërruar jetë në Berlin më 9 Mars dhe ishte sjellë në fshatin e tij të lindjes Alpaslan, në Turqi. Pas varrosjes së të ndjerit me nderime, një telefonues nga Berlini i tha të birit, Adnan Cesur, se personi që ata kishin varrosur nuk ishte i ati, por 83-vjeçari Raif Yuksel.

Ndërkohë, në vendlindjen e Yukselit, në Eskisehir, ishte dërguar trupi i Cesurit.

Me gjithë shokun e përjetuar pas telefonatës, të afërmit lajmëruan autoritetet, të cilat bënë zhvarrosjen e trupit të pajetë.

Më pas u bë edhe shkëmbimi mes të afërmve dhe më në fund, trupat e dy të moshuarve tashmë janë varrosur në vendlindjet e tyre.

Share With:
Translate »
677 Views