Edhe zyshat, gati për shkollë! Gjeni profilin dhe veshjen ideale që ju përshtatet me personalitetin

“E mbaj mend shumë mirë. Isha në klasën VIII. Sa herë ajo hynte në klasë, gjithçka kundërmonte nga parfumi i saj. E gjatë, e bukur, e re… Me një palë pantallona të gjata jeshile, me bel të lartë. Mbi to, një këmishë me printe, me ngjyra më të lehta, por edhe me jeshilen e pantallonave. Taka të zeza të holla. Grimi, një shkollë me vete edhe ai. Askush nuk ishte si ajo, as nuk vishej si ajo… Kishte nga ato zysha që mendonin se e tepronin, kishte edhe nga ato që mendonin se vishej bukur. Kishte edhe të tjera që e përflisnin se guxonte shumë për një shkollë province. Por për mua bënte shumë mirë. Sepse krijoi profilin e saj dhe injektoi tek nxënësit guximin dhe pasionin për të bukurën. Pavarësisht asaj që mendonin të tjerët. Të paktën mua, këtë më tregoi….
Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga ajo kohë. Ah, ishte zysha e Matematikës, prandaj nuk guxova dot kurrë t’ia thoja sa më pëlqente veshja e saj. E adhuroja. Aq sa edhe ekuacionet më të vështira të lëndës së saj…”

Viti shkollor nis këtë të hënë dhe bashkë me prindërit dhe fëmijët që po bëjnë blerjet e fundit, edhe zyshat kanë dalë për shopping. Çfarë do të veshin ditën e parë të shkollës e më pas edhe për gjithë sezonin?

Nuk është edhe aq e thjeshtë sa duket për të krijuar një profil unik me veshjen, sepse moda bën punën e saj në një kohë kur jo të gjithë kanë dëshirën e mirë e mirë për t’u përditësuar me të. Ju, me siguri, e mbani mend njërën prej zyshave që vishej bukur në shkollën tuaj, ashtu siç mbani mend edhe atë që vishte vetëm pantallona, kurrë një fustan apo kurrë një gjë me ngjyrë.

Në të vërtetë, mund të mos jetë aq e thjeshtë për të krijuar një profil profesional me veshjen, por jo e pamundur. Shkolla është një institucion që respekton me përpikëri Kodin e Etikës, megjithatë, edhe brenda këtij “kufizimi”, ne mund ta krijojmë profilin e zyshës që vishet bukur.

Nuk është e thënë të jesh gjithmonë e veshur me kostum, as gjithmonë e veshur me këmishë a një fustan zyrtar. Sot, trendet kanë larmi stilesh, ngjyrash e modelesh që mund t’i rrinë mirë çdo trupi, çdo natyre dhe, natyrisht, edhe çdo lënde.

Në këtë artikull të propozuar nga fashion editor-ja e Class By AV, Livia Myftari, zyshat duhet të tregohen të vëmendshme. Është koha për të gjetur profilin dhe stilin e tyre në veshje. Sepse nxënësit nuk fiksojnë vetëm formulat apo kohët e foljeve. Ata të sotmit bëjnë edhe komplimente të tipit “sa bukur është veshur zysha jonë”

Shikoni ku e gjeni veten:

1. Zysha klasike (zysha e Gjuhës)

I pëlqen të ekspozojë linjat, ndaj është gjithmonë besnike e veshjeve klasike. Megjithëse përpiqet ta përditësojë veshjen e saj me tendencat e reja, mbetet brenda të njëjtit stil. Nuk e shikon asnjëherë pa taka, qëndron në të njëjtat nuanca ngjyrash – guxon shumë rrallë me to. Zakonisht e gjen veten brenda kontrastit bardhë e zi, pana, kafe dhe të zezë. Në raste festash, shkon deri tek e kuqja ose bluja elektrike. Rripi në bel nuk mungon as në fustanet e ngushta, as në fundet e tilla.

Gjithmonë vishet me treçerekëshe (fustane, funde) dhe më rrallë me pantallona serioze.

2. Zysha sportive (e Anglishtes)

Frymëzohet nga stili amerikan, për të treguar që është “e huaj” edhe në stil.  Nuk vesh kurrë taka dhe refuzon vazhdimisht veshjet klasike. Në gardërobën e saj nuk ka ngjyrë të zezë, e urren.

Gjithmonë e sheh me veshje sportive dhe ato i kombinon me ngjyra të çelura. Duket sikur nuk shpenzon asnjë qindarkë për t’u veshur, sepse të qenit sportive e bën të ndihet më komode edhe në drejtim të shpenzimeve.

Xhinset janë shoqet më të mira, ndërsa në raste festash shkon tek pantallonat me ngjyra të hapura dhe bën një përpjekje për t’u dukur ndryshe duke shtuar aksesorë, varëse të gjata, por gjithmonë brenda stilit.

Ka gjithmonë një triko të hollë me vete për ta kombinuar me çdo t-shirt, këmishë apo bluzë.

3. Zysha Karamele (e Historisë, Muzikës, Vizatimit)

Një romantike që nuk heq dorë kurrë nga fustanet. Është një profil kokete që vishet me lule, printe, frudha. Adhuron të kombinojë ngjyrat në çdo detaj, qëndron gjithmonë në majë të takave. Ka nga një xhaketë që kombinohet me çdo fustan. Është gjithmonë e shtrënguar në bel dhe mezi pret festat për të veshur një fustan me të shkurtër. I pëlqejnë dantellat, tylet dhe çdo detaj i ëmbël që e tregon si karamele.

4. Zysha trendy (e Matematikës)

Është zysha që përditësoshet gjithmonë me trendet e fundit, ajo që di gjithmonë të vishet sipas tendencave të kohës, ecën në të njëjtin hap me Javët e Modës. Kombinon ngjyrat si askush tjetër dhe guxon me stilet si askush tjetër. Mikson të gjitha stilet e të veshurit. Në gardërobën e saj gjen atlete, këpucë me taka, këpucë të sheshta. Nuk e ka problem të veshë dhe xhinse të grisura (edhe pse kjo nuk lejohet, gjen rastin e ekskursioneve :)). Është zysha që frymëzon koleget për stilin e të veshurit.

5. Zysha tradicionale (e Fizikës, e Kimisë)

Është ajo që nuk e patë kurrë të veshur ndryshe, sepse veshja për të është gjëja e fundit që mendon. Nuk hoqi kurrë dorë nga vareset me rruaza, perla apo gurë. Në gardërobën e saj ka bluza dhe këmisha kremi pa fund, funde stofi dhe shaje me gjithë kombinimet e luleve. Adhuron këpucët me takë të ulët ose ortopedike. Nuk vesh kurrë xhinse.

Share With:
Translate »
408 Views