Ekskluzive | Një kanal i ri falas për fëmijë, ky është programacioni i parë

1 Qershori vjen me një dhuratë të bukur për të gjithë fëmijët shqiptarë që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Platforma dixhitale RTSH në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve sjell kanalin më të ri RTSH Fëmijë.

Kanali përmban programacion të pasur për të gjitha moshat. Edhe pse kanali është kryesisht për fëmijë, ndryshe nga kanalet e tjera simotra, RTSH Fëmijë synon që nëpërmjet programacionit të lidhë më tepër prindërit me fëmijët.

Do të rikthehen të dubluar në shqip seriale vizatimorë me të cilët shumë prej nesh, tashmë edhe prindër jemi rritur duke i parë nga ekrani bardhë e zi. Në një bisedë me redaktorin e kanalit RTSH Fëmijë, Bledi Strakosha, ai na njeh me programacionin e ditës së parë.

Në orën 7:00 të mëngjesit fëmijët do të zgjohen me serialin e shumë dëshiruar të prindërve, Tao-Tao. Në orën 7:30 do të transmetohet “Libri i madh i natyrës” duke vijuar më pas në orën 7:58 me serialin “Libri i Xhunglës”.

Në orën 8:28 do të rikthehet seriali “Sandokan” me aventurat e tij. Kanali do të ketë edhe emisione televizive. Në orën 09:53 do të jepet emisioni “Me duar të vogla” duke u pasuar nga seriali “Kung Fu Dino”. Seriali vizatimor komedi “Miqtë e ëngjëjve” do të transmetohet në orën 10:18. Në orën 10:45 programacioni vazhdon me serialin aksion për fëmijë “Dinofroz”. Një tjetër emision do të transmetohet në orën 11:16 i quajtur “Dambaje”.

Mbrëmja ka rezervuar filma për të gjithë familjen. Nesër do të transmetohet filmi “Xhurasik Park” që me siguri do të bëjë bashkë të gjithë familjen.

Prindër, përgatituni për një sfidë të re. Tashmë RTSH Fëmijë do të jetë kanali i familjes tuaj. /Kids’ Time

Share With:
Translate »
1578 Views