Flet babai i 17-vjeçarit që vrau bashkëmoshatarin: Që prej tri vitesh kur humbi vëllain, Devi nuk është mirë

Babai i 17-vjeçarit Devi Lala, i cili qëlloi me thikë për vdekje bashkëmoshatarin e tij Anxhelo Gjokazaj, rrëfen përjetimin e kësaj historie. Familja Lala tre vjet më parë ka humbur një djalë, i cili në moshën 16-vjeçare ka rënë nga çatia e shtëpisë, fakt që sipas të atit ka ndikuar në gjendjen e Devit.

Lidhur me vrasjen, pindërit e autorit 17-vjeçar, Devi Lala, janë të shokuar nga veprimi me pasoja tragjike i djalit të tyre, ndërsa shprehin dhimbje për viktimën e tij. Në një intervistë për “Panorama”, babai dhe nëna e autorit, Artir dhe Mimoza Lala, shprehen të hidhëruar, duke theksuar se ndihen njëlloj si prindërit e Anxhelos.

“Isha në punë dhe më morën në telefon duke më thënë se Devi kishte goditur me xham një shokun e tij gjatë një sherri”, thotë babai i tij.

Ai tregon me tej se la punën dhe shkoi me vrap në spital për të parë djalin e plagosur duke parandjerë se diçka e rëndë kishte ndodhur. Por pas pak çastesh nga mbërritja e tij, doli mjeku dhe dha lajmin e rëndë që 16-vjeçari nuk ia doli dot…

“Shkova dhe e takova djalin për pak minuta në Polici. E pyeta çfarë bëre kështu dhe se ku e gjete thikën. Ai nuk më përgjigjej, vetëm më shikonte në sy…

Më tha se e kishte blerë thikën tri ditë më parë dhe se ishte penduar për atë që kishte ndodhur, asgjë më shumë. Jemi shumë të shokuar. Djali më shikonte në sy dhe u përlot, nuk më tha asnjë fjalë, por edhe ai ishte i tronditur”, thotë ai, duke treguar se i biri nuk është mirë nga ana psikologjike prej disa kohësh.

“Që prej tri vitesh më parë kur humbi vëllain, i cili u rrëzua nga çatia e shtëpisë dhe humbi jetën. Devi nuk është mirë (Frenki, 16 vjeç u rrëzua nga kati i tretë duke gjetur vdekjen)”, thotë babai i 17- vjeçarit.

Pritet që adoleshenti të dalë në Gjykatë nga ku do ti komunikohet masa e sigurisë. Sipas burimeve të Policisë, ai ndodhet në një gjendje mjaft të ngarkuar psikologjike si pasojë e tronditjes nga ngjarja e rëndë.

Share With:
Translate »
757 Views