Humbasin djalin 4-vjeçar, prindërit japin mesazhin: Mos mendoni se është vetëm një bakter…

Dy prindër të shkatërruar nga dhimbja e humbjes së djalit të tyre të vogël nga një formë e rrallë e kancerit, kanë paralajmëruar prindërit e tjerë që të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm, kur fëmijët ankohen për dhimbje.

Joanne Hedley dhe Peter Hayes, nga Tydsley, Manchester i Madh po rrisin ndërgjegjësimin për neuroblastomën, një formë e rrallë e kancerit që më së shumti sulmon fëmijët, pasi djali i tyre Reggie, 4 vjeç, vdiq tragjikisht pas një beteje me sëmundjen.

Prindërit e tij u shqetësuan kur i riu filloi të ankohej se kishte probleme me stomakun dhe ethe ndërsa ishte në çerdhe vitin e kaluar.

Çështjet e stomakut janë simptoma kryesore e sëmundjes, por gjithashtu mund të shkaktojë temperatura të larta, nervozizëm dhe dhimbje të kockave.

Prindërit zemërthyer dëshirojnë të sigurohen që nënat dhe baballarët e tjerë të mos i anashkalojnë dhimbjet e fëmijëve të tyre dhe të bëjnë kontrollet tek mjeku sa më parë.

Pasi u shtrua në spital në Nëntor të vitit të kaluar, u deshën disa javë teste para se mjekët t’i thoshin Joanne dhe Peter se Reggie kishte një tumor.

Katërvjeçari kaloi seanca të vështira të kimioterapisë dhe radioterapisë, dhe sapo kishte përfunduar trajtimin deri më 24 Qershor dhe prindërit e tij menduan të bënin plane që ai të fillonte “të jetonte përsëri”.

Brenda disa javësh Reggie nuk ndihej mirë dhe u kthye në spital, ku mjekët i thanë familjes se kanceri ishte kthyer.

Këtë herë, mjekët i thanë prindërve të Reggie se nuk mund të bënin asgjë pasi kanceri po përhapej nëpër organet e tij.

Vetëm dhjetë ditë më vonë ai vdiq.

“Ishte shkatërruese. Ne kishim planifikuar pushime dhe për Reggie të shkonte në shkollë në Shtator. Ai ishte aq i emocionuar. Ne menduam se ai më në fund mund të fillonte të jetonte jetën e tij. Deri sa na thanë se nuk mund të bënin asgjë më shumë, ne ende mendonim se ai do ia dilte sepse e kishte marrë veten shumë mirë”, është shprehur Joanne.

Që nga vdekja e tij, prindërit e Reggie kanë vendosur të rrisin ndërgjegjësimin për neuroblastomën, e cila gjendet më së shumti tek fëmijët e vegjël dhe foshnjat, për të ndihmuar nënat dhe baballarët e tjerë që të vërejnë simptomat e tij herët.

Joanne tha se kanceri është i lehtë të anashkalohet dhe shpesh nuk diagnostikohet për një periudhë të gjatë kohore.

“Ne ishim plotësisht të verbër. Ne nuk kishim asnjë ide për këtë. Ne thjesht menduam se ai kishte probleme me stomakun, do të pinte paracetamol dhe do të qetësohej. Tani duam të rrisim ndërgjegjësimin dhe të njoftojmë prindërit e tjerë se nëse fëmija e tyre shfaq shqetësime, nuk është vetëm një bakter, por mund të jetë më shumë se kaq”, është shprehur nëna.

Share With:
Translate »
171 Views