Humbi babain dhe nipin, 12 vite në kërkim të drejtësisë: U shkatërruan 3 familje

Enkelejda ka 12 vite që kërkon drejtësi për vdekjen e të atit, Agron Sinani 54 vjeç dhe nipit 8 vjeçar Martin Duka,djali i motrës në një aksident rrugor.

Si pasojë e këtij aksidenti, familjet jo vetëm që humbën më të shtrenjtët e tyre, por nuk kanë mundur të gjejnë as drejtësi e as paqe mes njëri- tjetrit. Që prej aksidentit fatal marrëdhëniet familjare janë acaruar.

“Jemi tre familje që jemi shkatërruar” u shpreh Enkelejda Sinani, familjare

Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e 9 tetorit 2009, në Gjirokastër.

Martini, djali i vajzës së Agronit, rrinte shpesh në shtëpinë e gjyshërve dhe i kishte kërkuar disa herë gjyshit t’i bënte xhiro me motorr, por ai e kishte refuzuar gjithmonë. Atë mbrëmje, gjysh Agroni vendosi t’ia plotësojë dëshirën nipit, e hipi mbi motorrin e vogël dhe u nisën për të mos u kthyer më kurrë.

Afër zonës së njohur si Viroi, pikërisht përpara batalionit të logjistikës, ku ndodhej biznesi që Agroni do të merrte lekët e ditës së punës, përplaset me një foristradë tip Toyota, e drejtuar nga Taulant Boçi. Goditja rezultoi fatale për gjyshin dhe nipin 8-vjeçar, të ciët humbëm jetën.

Fillimisht u shpall fajtor drejtuesi i automjetit tip Toyota dhe u dënua me 5 vite burg, por më vonë ky vendim u apelua. Por pas katër ekspertizave dhe 6 vite në procese gjyqsore, Gjykata e apelit e shpalli të pafajshëm drejtuesin e Toytës, Taulant Boçin, i cili jo vetëm fitoi lirinë, por mori edhe dëmshpërblimin për çdo ditë që qëndroi në burg dhe dëmshpërblim për dëmin moral të shkaktuar.

Ndërsa familjarët e viktimave, edhe 12 vite pas ngjarjes së rëndë janë ende në kërkim të drejtësisë dhe e kanë dërguar çështjen në gjykatë e lartë.

 

Share With:
Translate »
120 Views