I biri organizon me shokët vjedhjen e banesës së babait
Policia e Shkodrës ka zbardhur një ngjarje të ndodhur një ditë më parë ku është vjedhur një banesë në zonën e Vaut të Dejës, dhe autor i ngjarjes përveç tre të rinjve është edhe djali i familjes.
Policia sqaron se “ngjarja në fjalë është organizuar dhe drejtuar nga i biri i pronarit të banesës, shtetasi E. Z. ku është kryer vjedhja nga shtetasit e lartëpërmendur të cilët janë shokët e tij”.
Në pranga përfunduan dy persona dhe dy të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë.
Në pranga përfundoi Klovis Jeraj, 29 vjeç si dhe S. J. 16 vjeç, të dy banues në fshatin Mjedë, Vau Dejës,
Gjithashtu janë proceduar penalisht dhe ndiqen në gjendje të lirë shtetasit, E. Z. 16 vjeç, si dhe R. K. 17 vjeç banues në fshatin Shelqet, Vau Dejës,
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi me datën 11.03.2018, kanë organizuar dhe kryer vjedhjen e banesës së shtetasit P. Z. në fshatin Shelqet, Vau Dejës.
“Nga veprimet e para hetimore dhe gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale sendet e vjedhura në banesën e shtetasit P.Z. konkretisht janë; 680 000 Lekë të vjetra, 210 Euro, një sasi rreth 6 kilogram bizhuteri argjendi, një laptop, një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, si dhe tre aparate celularë”, sqaron policia.
Materjalet iu referuan në Prokurorisë Pranë Gjykates së Shkalles së Parë Shkodër për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim” e “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.