Ja disa momente kur e gjetët veten duke folur si prindërit tuaj

Ka një moment në jetë kur të vjen vetëdija dhe kupton se je bërë si prindërit e tu. Ndoshta është ai çasti kur po ankohesh për rrëmujën në shtëpi, kur po u bërtet fëmijëve për ushqimin apo kur papritur dëgjon veten të thuash: “Unë të kam bërë ty, jo ti mua!”

Në një pyetje të shtruar në Anabel, shumë njerëz ndanë momentet kur e kapën veten duke u sjellë fiks si prindërit e tyre dhe përgjigjet ishin aq të njohura saqë duket sikur të gjithë kemi kaluar nga e njëjta “shkollë” prindërimi.

“Ngela duke vënë lavatriçen në punë”

Një nga ankesat më të zakonshme është për punët e shtëpisë, veçanërisht larja e rrobave. Një vajzë rrëfen me humor: “Ngela duke vënë lavatriçen në punë!”, edhe pse jeton vetëm në një studio.

“Kur do rriten këta fëmijë që të mos merrem më unë me ta?”

Në fëmijëri, na dukej e habitshme kur prindërit ankoheshin për përgjegjësitë e tyre, por ja ku jemi tani, duke menduar të njëjtën gjë. Dikush tregon se kjo pyetje i vjen natyrshëm sa herë që fëmijët sëmuren ose kërkojnë diçka në mënyrë të vazhdueshme.

“Mos shkel në tapet me këpucë!”

Po, është zyrtare. Të gjithë bëhemi si prindërit tanë kur bëhet fjalë për rregullat e pastërtisë. Një tjetër pranon se, ndonëse dikur e injoronte këtë urdhër të përsëritur, tani e gjen veten duke i qortuar të tjerët për të njëjtën gjë.

“Më duket shtëpia rrëmujë edhe kur i kam bërë të gjitha punët”

Një tjetër e vërtetë universale: pavarësisht sa pastron, shtëpia gjithmonë ka diçka për t’u rregulluar. Dikush tregon se, edhe pasi ka përfunduar çdo punë, sërish i duket sikur ambienti nuk është ashtu siç duhet, një dilemë që dikur e kishte dëgjuar nga e ëma.

“Kam të njëjtat shpërthime emocionale dhe pas 5 minutash më duket sikur nuk isha unë”

Një tjetër rrëfen se emocionet e saj ndryshojnë kaq shpejt sa nuk e kupton as vetë, gjë që e bën të mendojë për herët kur e ëma sillej në të njëjtën mënyrë.

“Ha, pi, shko herët në shtrat!”

Dikush tjetër rrëfen se sa herë i thotë këto fjalë djalit të saj, pas pak minutash e gjen veten duke u ankuar: “A jemi hotel këtu?”, duke kuptuar që po përsërit fiks frazat që dikur i dëgjonte nga e ëma.

“Nuk më ndihmon njeri me punët e shtëpisë, por njëkohësisht nuk më pëlqejnë punët e bëra nga të tjerët”

Kjo është një ankesë që shumë njerëz e kuptojnë mirë. Ajo tregon se e kritikon familjen për mungesë ndihme, por kur ata bëjnë diçka, përsëri nuk është e kënaqur me mënyrën si e kanë bërë.

“Kur pastroj shtëpinë”

Thjesht, pastërtia është një fiksim që na transformon të gjithëve në versionin e prindërve tanë.

Nëse keni thënë ndonjë nga këto fraza kohët e fundit, mos u shqetësoni – është pjesë e rritjes. Dikur na dukej e pakuptimtë kur prindërit tanë ankoheshin për këto gjëra, por tani, ja ku jemi, duke bërë të njëjtën gjë. Për ironi të fatit, ndoshta edhe fëmijët tanë do të bëjnë të njëjtën pyetje një ditë: “Si përfundova duke folur si mami/babi?”

Share With:
Translate »
29 Views