Kushtet skandaloze të shkollës 9-vjeçare në Elbasan

Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora denoncoi mbrëmjen e sotme kushtet skandaloze të shkollës 9-vjeçare “Ismail Kasa” në fshatin Jagodinë , në komunën Shirgjan në Elbasan.

Sinjalizimin e mori nga prindërit, por më pas “BOOM” konfirmoi pretendimet e tyre nga një vëzhgim në terren.

Kushtet e shkollës sikurse e shikoni në video, janë skandaloze, sidomos tualetet, xhamat e thyer, dollapët dhe bankat e dëmtura, klasa me lagështirë. Edhe simbolin, flamurin, e kishte të grisur shkolla.

Edhe muri rrethues i shkollës dhe shtrimi i oborrit të shkollës, ishin bërë nga bërë nga donatorë si World Vizion dhe komuniteti. Investimi i shkollës ishte zero.

Prindërit thonë se problemi më i madh është me tualetet.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan i pyetur lidhur me këtë çështje thotë se investimet në infrastrukturë janë përgjegjësi e Bashkisë.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: E para njëherë prindërit s`kanë sjellë shqetësim tek ne, se siç duket e kanë menduar që është problem infrastrukture mund ta kenë çuar në Bashki sepse Drejtoritë Arsimore nuk merren me infrastrukturën.

Gazetarja: E kuptoj, po shkak pasojë janë, ndikojnë tek njëra-tjetra.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: Ne jemi palë në këtë rast, nëse ato kanë shqetësime për infrastrukturën unë jam palë me prindërit kuptohet për të lobuar në Bashki, te pushteti vendor në mënyrë që të përmirësohen kushtet.Ça kërkojnë?

Gazetarja: Ja u thashë, pjesa e parë që godina është shumë e amortizuar dhe pjesa e dytë është që herë pas here na kërkojnë për të bërë rrethimin e shkollës, apo për një shërbim tjetër aty.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: Po varet kush e thotë.

Gazetarja: Po prindërit vetë, sepse fëmijët prindërve ja u kërkojnë lekët.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: Atëherë unë dua një prononcim zyrtar ose prindërit të sjellin një peticion dhe unë ngre ekip dhe shkoj e verifikoj.Nuk kërkon njeri lekë për rrethimin e shkollës. Tani që erdhët ju do çoj ekipin atje në shkollë që të bisedoj me drejtorin, me mësuesit, me komunitetin, domethënë çfarë shqetësimesh kanë ata do ti mbledh. Shkolla që flisni ju, pra e Jagodinës nuk është në emergjencë, në listat e emergjencës.

Gazetarja: Pse ka më keq se sa ajo, ka me kushte më të vështira sesa ajo?

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: Nuk është në listën e emergjencës.

Gazetarja: Po mirë çfarë do të thotë lista e emergjencës, se këtë po përpiqem të kuptoi, që janë ca shkolla që janë më keq.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: Po ju e kuptoni ….

Gazetarja: Kjo është?

Drejtori i Drejtorisë Arsimore Elbasan: Kjo është shkollë me kushte mesatare, biles mbi mesataren, shkolla Jagodinë.

Vetë drejtori i shkollës “Ismail Kasa” në një lidhje telefonike thotë se shkolla ka bërë projektin për tualetet por nuk ka financim.

Drejtori i shkollës “Ismail Kasa”: Për banjat kam bërë një projekt, që e kam bërë me inxhinierin e bashkisë. Ai kushton 19 milion e 500 mijë lekë të vjetra, për 10 banjot që kemi.

Gazetarja: Ky projekt nuk është se ka marrë një miratim apo jo?

Drejtori i shkollës: Nuk është miratuar.Këtë e aplikuam tek Ëorld vizion dhe ato në aplikimin që bëmë ne, kërkonin dhe kontributin e komunitetit dhe një partner të jashtëm.Rolin e partnerit të jashtëm mund ta bëjë bashkia ose një organizatë tjetër joqeveritare siç mund të jetë ndonjë kishë katolike ose një biznes që mund ta ndihmoj sepse ka dhe pjesën e kontributit. Ne aplikuam dhe nuk e fituam. Fondi që ishte ata nuk e përballonin, se ishte 5 milion e 200 mijë në dispozicion. Bashkia vetë mund të na ndihmonte me ndonjë mjet që mund të hapte ndonjë kanal ose me fuqi punëtore, po me fonde jo, absolutisht që jo.

Gazetarja: Po pse jo.

Drejtori i shkollës: Nuk na japin.

Besim Dybeli, drejtor për informimin Bashkia Elbasan thotë se nuk u ka shkuar  asnjë ankesë dhe kërkesë zyrtare nga drejtoria e kësaj shkolle apo këshilli i prindërve.

Besim Dybeli: Nëse këshilli i prindërve bashkë me drejtorinë e shkollës, apo drejtorinë arsimore Elbasan do sjellin këtë lloj ankese kërkesë për riparimin e kësaj shkolle ju them zyrtarisht që bashkia Elbasan është e gatshme të riparoj gjithçka duan prindërit dhe nevojat e shkollës. Kërkesa e tyre mund të përmbushet çështje ditësh.Më të ardhur kërkesa bashkia do çoj ekipin në shkollë dhe riparimet do fillojnë me miratimin e kërkesës.Ju mund të vini prapë për këtë problem dhe do e gjeni shkollën ndryshe.

Gazetarja: Mirë World Vision po shteti shqiptar, ju që kujdeseni për infrastrukturën duhet të bëni diçka apo jo?

Besim Dybeli: Duhet të bëjnë diçka, por po s`qau fëmija, nëna si jep të pijë. Kjo ankesë nuk ka ardhur tek ne edhe pse ju thoni që drejtori i shkollës, i cili është dhe anëtar i këshillit bashkiak Elbasan. Me vjen keq që është një këshilltar i heshtur.

Share With:



283 Views