La pas 6 fëmijë, nëna e ve nga Kukësi jetonte në kushte ç’njerëzore
Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me tragjedinë në Kukës ku nëna bashkë me femijën ende të palindur, humbën jetën.
Viktima, Nurie Poçi, 42-vjeç, ndërroi jetë në spitalin e Kukësit.
Gruaja priste të sillte në jetë fëmijën e shtatë, ndërsa aktualisht ka gjashtë vajza.
Sipas mjekëve Nuria u paraqit në spital në gjendje të rëndë, ku mjekët e diagnostikuan me “Fetus morti”, foshnje e vdekur në bark.
Mjekët tregojnë se 42-vjeçarja ka tentuar disa herë të dëmtonte fetusin që mbante në bark, dhe kjo gjë duket se ka shkaktuar edhe vdekjen.
Ngjarja
Burime nga familjarët e saj bëjnë me dije se çdo gjë ka nisur kur gruaja kishte mbetur e ve, dhe nuk i rriste dot më fëmijët e saj.
Rasti i saj është i njohur edhe në media ku ajo tregonte kushtet e vështira me të cilat jetonte.
Ajo kërkoi nga autoritetet që ti sigurohej një banesë, për shkak të pamundësisë për të paguar qeranë dhe për t’u ushqyer.
Si duket asgjë nuk është bërë për të dhe fëmijët e saj, gjë e cila përfundoi në tragjedi.
Reportazhi i dy viteve më parë
Temperaturat e ulëta te janarit, i’a bëjnë edhe më të vështirë jetesën 6 vajzave të vogla dhe nënës së tyre Nurie Poçit. Ata jetojnë në një banesë me qira në qytetin e Kukësit në kushte shumë të vështira dhe pa ushqim.
Nurie Poçi thotë se jetesa me 19 mijë lek në muaj të cilat i përfiton nga një pension dhe ndihma sociale është shumë e vështirë. Ajo thotë se 13 mijë lekë i përdor vetëm për të paguar qiranë e shtëpisë dhe energjinë elektrike.
Ndërsa në këtë kohë i ka marrë lëndë drusore me lekë borxh për të ngrohur sadopak ambientin e kësaj ngrehine, për të cilën paguan një qera të konsiderueshme në raport me kushtet që ajo ofron.
Poçi thotë se fëmijët flenë herë të ngrënë e herë të pangrënë, pasi varfëria dhe skamja janë ulur këmbëkryq në vatrën e kësaj familje.
Gruaja i bën apel instancave shtetërore që ta ndihmojnë sadopak me një banesë provizore, pasi nuk ka mundësi për të paguar qiranë.
6 vajzat të cilat jetojnë vetëm me të ëmën pasi babai i ka ndërruar jetë para disa kohësh, nuk shkojnë në shkollë pasi nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë librat dhe mjetet shkollore.
Vogëlushet rrëfejnë se si ndihen kur shohin bashkëmoshataret e tyre që shkojnë në shkollë në një kohë që kjo gjë për ta është luks.
Në këto ditë të ftohta, 7 femrat e familjes Poçi në Kukës nuk kanë mundësi tjetër veçse të shpresojnë te humaniteti i pushtetit vendor.