“Prindërit se kuptojnë ç’kam pirë”/ Cigaret elektronike janë kthyer në “biberona” për 10-vjeçarët shqiptarë, shkak reklamimi i tyre në televizion

“Para disa ditësh isha me djalin tim 3-vjeҫar në një park. Vura re një grup fëmijësh diku 10-vjeҫar dhe tym mes tyre. Po pinin cigare elektronike dhe kur më panë mua që i hodha një vështrim të rreptë, po mundoheshin ta fshihnin”.

Ankesa si këto ka marrë çdo ditë sociologe Marsida Simo.

Dhe në fakt, 10-vjeçarët që pinë cigare elektonike i hasim kudo tashmë, si jashtë ambienteve të shkollës, në rrugë, lokale por edhe në shkollë. Simo tregon për Gazetasi.al se edhe mësueset e shkollave 9-vjecare i shkruajnë duke i thënë se fëmijët i nisin cigaret elektronike që në klasë të gjashtë.

“Ajo që iu bën më shumë përshtypje është se ku i gjejnë fëmijët aq para sa të blejnë cigare elektronike të cilat kanë një çmim të konsiderueshëm që shkon deri në 1200 lekë”.

Të pyetur nga Gazetasi.al, nxënësit thonë se lekët ua japin vetë prindërit por për të blerë diçka për të ngrënë.

“Lekët nuk janë problem fare se i kemi aq lek me vete sa për të blerë ‘vape’”, thotë një nga djemtë në një grup prej 5 nxënësish që qëndrojnë në cep të një shkolle 9-vjeçare në Tiranë. Edhe pse nuk e cilësojnë si diçka të dëmshme, djemtë kanë frikë kur i pyet dhe nuk pranojnë të tregojnë emër, edhe nga frika se mos prindërit e tyre e zbulojnë.

“Unë nuk e shoh si diçka të keqe, të paktën jo aq sa duhani. Më mirë pi këtë sesa duhan. Kam një muaj që e pi, më shumë i shtyrë nga çunat që e filluan duke parë në televizor. Cigaret elektronike kanë dhe një të mirë se nuk lënë aromë dhe prindërit nuk e kuptojnë se e kam pi”, thotë një tjetër nxënës i cili është vetëm në klasë të 7.

Simo thotë për Gazetasi.al se cigaret elektronike mund t’i quajmë dhe  “biberonat e të rriturve” të cilat i shohim gjithnjë e më shpesh në gojën e tyre në ambiente të ndryshme si bare, restorante apo dhe në rrugë.

“Megjithatë ajo që na shqetëson më shumë është fakti se po përdoret edhe nga fëmijët e moshës 12-13 vjeҫ, ndoshta dhe më të vegjël. Mjafton të shkojmë pranë shkollave 9-vjeҫare dhe mund të shohim fëmijë që thithin cigare  elektronike sidomos kur janë në grup”, thotë Simo e cila shton se jo më larg se para pak javësh diskutoi online me një grup prindërish për përdorin e cigareve elektronike, ku mori shumë komente dhe mesazhe të cilat konfirmonin se moda e “cigareve elektronike” ose “vape” po infekton gjerësisht të vegjlit.

Simo thotë se produktet që reklamohen së tepërmi dhe kanë një aspekt tërheqës vizual, kanë një efekt bombardues për audiencën duke ndikuar në sjelljen konsumatorit.

“Sidomos kur ky produkt ose shërbim përdoret nga një person i famshëm apo që ka reputacion për një pjesë të shoqërisë. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit mund të “manipulohen” ose “bombardohen” nga reklamimi, aq më tepër kur reklamimi është jo i drejtpërdrejtë, por indirekt, si në rastin kur shfaqet si logo në muret e shtëpisë, apo si objekt rastësor në tavolinë, apo që përdoret rëndom nga shumë persona”, thotë Simo duke shtuar se këto mënyra reklamimi japin një mesazh se janë produkte popullore, jo të dëmshme, apo që të japin mundësinë të përafrohesh me personazhet që i konsumojnë.

Studiuesit e fushës së marketingut prej kohësh studiojnë mesazhet e pandërgjegjshme që përfshihen në të gjitha llojet e reklamave promocionale dhe fushatave. E rëndësishme për ta është ideja e anashkalimit të mesazhit të vetëdijshëm. Ky koncept u diskutua për herë të parë nga James Vicary në 1957 i cili ekspozoi përdorimin e manipulimit ne subkoshiencë mbi mendjen e konsumatorit. Studimi zbuloi se mesazhet e fshehura si “Eat Popcorn” dhe “Drink Coke” të shfaqura gjatë filmave, regjistroi një nxitje të papritur të turmave të njerëzve të rreshtuar jashtë stendave të kokoshkave. Në mënyrë të ngjashme, gjithashtu u rritën shitjet e pijes Coca-s.

“Një grua e cila ka një biznes, me tregoi se para pak kohësh, asnjë nga punonjësit e saj nuk e pinte cigaren elektronike. Ndërsa së fundmi 6 prej tyre e pinë, si shkak i reklamimit të madh që po u bëhet cigareve elektronike”, përfundon Simo.

Share With:
Translate »
80 Views