Martohet Xhemre, surpriza më e bukur ishte nga motra e saj binjake

E gjithë vëmendja e showbiz-it në Turqi është zhvendosur në dasmën e aktores Oyku Karayel, e njohur për rolin e Xhemresë në serialin “Kuzey & Guney”, por edhe për një sërë rolesh të tjera në produksionet turke. Oyku Karayel dhe partneri i saj, muzikanti Can Bonomo, i dhanë fund beqarisë të mërkurën, më 11 korrik, në një ceremoni që ishte menduar të ishte private, por fotot dhe videot morën dhenë në rrjet.

150 të ftuarit e dasmës nuk ishin mbledhur në një vend të zakonshëm, por në natyrë. Kjo ishte dëshira e nuses dhe e dhëndrit për ditën e tyre më të lumtur.

Pas shumë fotove, detajeve e emocioneve që përcolli dasma më e përfolur e showbiz-it në Turqi, surpriza më e bukur e aktores ishte pikërisht fustani i saj, i stiluar nga motra binjake, Ezgi Karayel.

Ezgi, në fakt, nuk kishte stiluar vetëm fustanin elegant të motrës së saj, por edhe kostumin e dhëndrit, i cili gjithashtu kishte dalë nga korniza e dhëndrit të zakonshëm duke guxuar me pantallonat dhe këpucët e bardha.

Por e bukura e së gjithës ishte te fustani i Xhemre. 27-vjeçarja kishte pasur gjithmonë dëshirë të vishte një fustan të thjeshtë, mjafton të ishte i bardhë. Nisur edhe nga ambienti në të cilin u organizua ceremonia, motra binjake e saj zgjodhi një mëndafsh të bardhë, i cili nuk ishte aq i thjeshtë sa dukej.

Poshtë pëlhurës së butë fshiheshin këto vizatime, të cilat ishin ruajtur me fanatizëm nga nëna e aktores së njohur. Janë pikërisht vizatimet që Xhemre ka pikturuar kur ka qenë fëmijë. Fantazia, qysh atëherë, ka qenë pikërisht për këtë ditë, siç duket edhe nga këto vizatime me çifte. Të gjithë pikturat, motra e saj i mblodhi dhe i personalizoi për t’ia dhuruar në ditën e dasmës.

Siç shfaqet qartë edhe në këto foto, një pjesë e tyre janë të dukshme, ndërsa një pjesë janë të fshehura nën fustan, si për t’i ngacmuar, por pa i prekur kujtimet e fëmijërisë.

Mediat turke kanë komentuar se fustani i Xhemresë dhe historia e tij i ngjan fustanit të famshëm të Angelona Jolie, në 2014-ën, kur u martua me Brad Pitt. Edhe aktorja e famshme kishte veshur një fustan të personalizuar me vizatimet e fëmijërisë.

Share With:
Translate »
1402 Views