“Më lini të shoh fëmijën tim!”, Nuk takohet me djalin prej 5 vitesh, babai ka një kërkesë për ish- vjehrrit e tij që kujdesen për të

Familja është bërthama e një jete të lumtur dhe plot harmoni, por jo gjithmonë çdo histori shkon sipas parashikimit dhe ka një fund të lumtur, duke lënë pas probleme, hatërmbetje dhe pengje të shumta. Në këto histori gjithmonë të pafajshëm janë fëmijët, por janë po ata të cilët vuajnë gabimet e prindërve të tyre. E tillë ishte dhe historia e Halilit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”.

Halili në studio rrëfeu historinë e trishtë të jetës së tij dhe se ishte rritur gjithnjë i përndjekur nga probleme të mëdha ekonomike dhe familjare. Shqetësimet për të kishin ardhur duke u shtuar, derisa ai kishte vendosur që një ditë të martohej. Sipas tij, Halili ia kishte treguar situatën ku ndodhej gruas që dashuronte dhe ajo kishte pranuar që të kujdesej për familjen e tij. Ata kishin lidhur kurorë dhe kishin sjellë në jetë një djalë.

Edhe pse ish- bashkëshortja e tij e kishte pranuar gjendjen e vështirë në të cilën Halili ndodhej, përsëri situata për të ishte bërë e padurueshme, aq sa ajo ishte detyruar që të largohej në shtëpinë e prindërve të saj. Më pas kishin vendosur që krejtësisht të pavarur të shpërnguleshin në një shtëpi me qira, por përsëri debatet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes tyre nuk kishin ndaluar derisa kishin vendosur që të divorcoheshin.

Situata ishte komplikuar më shumë, kur Halili kishte denoncuar ish- vjehrrit e tij për kanosje dhe babai i ish- bashkëshortes ishte dënuar 6 muaj burg për armë mbajtje pa leje. Halili pas kësaj ngjarjeje ishte larguar dhe kishte më shumë se 5 vite që nuk kishte takuar djalin e tij të vogël.

Halili kishte zgjedhur emisionin “Dua të të bëj të lumtur” si e vetmja urë komunikimi me ish- vjehrrit, por dhe për tu kërkuar atyre që t’i mundësojnë atij një takim me djalin.

Nga ana tjetër e studios, ish-vjehrrit të habitur nga kjo ftesë nuk pranuan që të bisedonin me Halinin, madje ata treguan një version tjetër nga ky i fundit. “Ne nuk e kemi ndaluar atë që të vijë të takojë djalin e tij. Fundja është babai dhe i takon të vijë ta takojë e të jetë baba për të, por ai ka më shumë se 8 vite që nuk është bërë i gjallë. Unë çfarë nuk kam bërë për të, por ai nuk kishte pse të vinte deri këtu. Numrat tanë të telefonit i ka, lë të vijë kurdorherë të takojë djalin e tij.”,- u shprehën ish- vjehrrit.

Pas rrëfimit të tyre, ish- vjehrrit nuk pranuan që të dëgjonin ato që Halili kishte për tu thënë dhe vendosën që të largohen nga studioja. Gjatë bisedës në studio u tregua se ish- bashkëshortja e Halilit kishte krijuar një jetë të re në Francë duke lënë djalin e saj në kujdesin e gjyshërve. Halili pavarësisht situatës së krijuar në studio, kërkoi që të takonte djalin e tij, jashtë studios, një takim i shumëpritur i cili erdhi pas më shumë se 5 viteve.

Share With:
Translate »
466 Views