Medikamentet për abort, të palicensuara në vendin tonë

Aborti është procesi që kryhet për ndërprerjen e shtatzënisë para moshës së barrës prej 22 javësh. Në vendin tonë, sipas statistikave kryhen deri në 17.2 aborte për 100 lindje.

Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare“, mjeku obstetër-gjinekolog Bajram Balliu tregon se medikamentet që merren për ndërprerjen e shtatzënisë, jepen nga shumë farmacistë të papërgjegjshëm pa këshillën e mjekut. Sipas mjekut, këto medikamente që hyjnë në vendin tonë janë të palicencuara e në shumë raste jeta e gruas ka qenë në rrezik për shkak të hemorragjisë së theksuar.

Bajram Balliu
Bajram Balliu

 

Balliu më tej tregon të gjitha komplikacionet që vijnë si pasojë e abortit e u bën thirrje gjithë femrave që duan të kryejnë një procedurë të tillë, që të drejtohen pranë materniteteve apo klinikave të licencuara e të bëjnë paraprakisht të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

Sa është numri i aborteve në Shqipëri?
Aborti është ndërprerja e shtatzënisë përpara moshës së barrës 22 javë, i cili mund të jetë spontan apo me dëshirën e pacientes dhe partnerit të saj. Në vendin tonë aborti është i lejuar që nga viti 1992 e ky proces kryhet nga një mjek obstetër-gjinekolog, sipas ligjit mbi abortin. Aktualisht në Shqipëri kryhen 7.3-17.2 aborte për 100 lindje.

Cilat janë ekzaminimet që kryhen paraprakisht nga mjeku përgjegjës?
Mjeku që merr në ngarkim çështjen duhet të bëjë përcaktimin e saktë të moshës së barrës, edhe nëse pacientja dëshiron ta abortojë. Kësaj të fundit i bëhet me dije procedura dhe njihet me ligjin mbi abortin. Më tej, pas një jave, merret anamneza, e kryhet ekzaminimi objektiv dhe ekzaminimet e nevojshme laboratorike (gjak komplet, grupi i gjakut, koha e protrombinës, kulturë e sekrecioneve vaginale etj.) sipas protokollit.

Cilat janë metodat e kryerjes së abortit?
Ka dy mënyra për të kryer abortin që janë metoda medikamentoze dhe ajo kirurgjikale (me vacuum aspirator, kyretazh). Metoda medikamentoze kryhet vetëm nëse mosha e barrës është më pak se 49 ditë. Duhet theksuar se në praktikën e përditshme, hasim shpesh komplikacione të shumta nga përdorimi i këtyre medikamenteve (të palicensuara në vendin tonë).

Këto medikamente a jepen me këshillën e mjekut apo vetëm nga farmacisti?
Medikamentet për abort merren në farmaci pa këshillën e mjekut dhe përdoren. Pastaj pacientja vjen në maternitetin tonë me hemorragji të shprehur. Kemi pasur raste kur është rrezikuar jeta e gruas nga përdorimi i këtyre kokrrave. Ka farmacistë të papërgjegjshëm që rekomandojnë përdorimin e këtyre kokrrave. Dua t’u bëj thirrje pacienteve që të mos marrin asnjëherë ilaçe në farmaci pa u konsultuar me mjekun.

Cilat janë kundërindikacionet për përdorimin e medikamenteve për abort?
Theksoj edhe njëherë që vetëm mjeku obstetër-gjinekolog ka për detyrë që të përcaktojë nëse aborti mund të kryhet me medikamente, kuptohet duke qenë pacientja nën mbikëqyrjen e mjekut. Kundërindikacionet janë: sëmundjet e rënda kardiovaskulare, të mëlçisë, veshkave dhe mushkërive, anemia (Hb nën 10), shtatzënia jashtë mitre, alergjitë, fibromyoma e përmasave të mëdha, hemorragjia uterine e padiagnostikuar etj.

Po metodat kirurgjikale që përdoren cilat janë?
Në barrat e vogla nuk kërkohet përgatitje e veçantë, kurse në barrat mbi 12 javë, patjetër duhet përgatitur qafa e mitrës me medikamente si prostaglandina, laminaria etj., dhe pastaj të kryhet zbrazja instrumentale. Anestezia mund të bëhet lokale ose endovenoze. Disa orë përpara ndërhyrjes, mund të jepet brufen 400-800 mg dhe diazepam 2.5 mg.

Cilat janë komplikacionet që mund të shfaqen nga aborti?
Injektimi lokal i lidokainës në enët e gjakut të qafës së mitrës mund të shkaktojë vdekje. Gjithashtu mund të shfaqen edhe komplikacione nga anestezia endovenoze, hemorragji në sasi të madhe si pasojë e rënies së fuqisë tkurrëse të mitrës. Pacientja mund të pësojë edhe shock cervikal, humbje të vetëdijes nga stimulimi për të hapur qafën e mitrës, si dhe mund të preket nga triada postabort që konsiston në dhimbje, hemorragji dhe ethe. Dëmtimet apo çarjet e qafës së mitrës, të vetë mitrës, si dhe hemorragjitë në sasi shumë të madhe mund të jenë komplikacione pas abortit. Femra që ka kryer këtë proces mund të ketë dëmtime të zorrëve dhe vezikës urinare nga çarja e mitrës si dhe mund të preket nga endometriti, infeksion i mitrës. Komplikacion i vonshëm mund të jetë edhe steriliteti ose pamundësia për të ngelur shtatzënë.

Çfarë u rekomandoni pacienteve që dëshirojnë të ndërpresin shtatzëninë?
Pavarësisht debateve pro dhe kundër abortit, unë do t’u rekomandoja pacienteve që pasi ta marrin vendimin për kryerjen e abortit, të drejtohen vetëm te mjeku obstetër-gjinekolog dhe në maternitetet ose klinikat e licencuara, të kryejnë ekzaminimet e nevo-jshme dhe t’i nënshtrohen procedurës me qëllim që komplikacionet të jenë sa më të vogla dhe jeta e pacientes të jetë e sigurt.

Share With:
Translate »
816 Views