Mësuesja shqiptare, finaliste në Çmimin Botëror të Mësuesve

Liljana Luani është një prej 50 finalistëve të Çmimit Botëror të Mësuesve (Global Teacher Prize), çmim që nderon sakrificat dhe mundin e mësuesve në gjithë botën për të ndryshuar jetët e studentëve të tyre.

Ndoshta ju kujtohet Liljana Luani nga një episod i të “Dielës Shqiptare”, ku lexoi letrën që i shkroi në prej nxnësve të ngujuar të cilit ajo i jepte mësim në shtëpi. Liljana punon si mësuese prej 37 vitesh dhe që prej vitit 2005, ka shërbyer si aktiviste në edukimin e fëmijëve, familjet e të cilëve janë në gjak.

Liljana punon në Dukagjin, ku gjakmarrja është një problem serioz, ndoshta problemi më serioz i komunitetit. Sidoqoftë, ajo nuk nguron t’u japë mësim nxënësve të saj të ngujuar. Për të, edukimi është arma më e fortë kundër fatkeqësisë së gjakmarrjes.

Gjithçka nisi në vitin 2005, kur Liljana përpiloi një listë me fëmijë që nuk shkonin dot në shkollë prej ngujimit dhe vendosi t’u japë mësim vullnetarisht, shtëpi më shtëpi.

Ndonjëherë, i duhet të udhëtojë me traget, autobusë; ndonjëherë duhet të ecë me orë të tëra në këmbë për t’u dhënë mësim fëmijëve të trishtuar, nervozë e të stresuar. Përtej kushteve të vështira, ajo ka mundur të krijojë një ambient të ngrohtë dhe mikpritës, që fëmijët të kenë mundësi të nxënë si moshatarët e tyre.

Liljana ka bashkëpunuar me qeverinë për t’u siguruar fëmijëve të ngujuar të njëjtat privilegje si fëmijët e tjerë. Falë punës së saj, shumë nxënës kanë dhënë provime të shoqëruar nga forcat policore për t’i mbrojtur nga gjakësit.

Nëse fiton çmimin, ajo synon të hapë një qendër shumëfunksionale ku fëmijët e ngujuar, jetimët dhe fëmijë që s’kanë mundësi të shkollohen, të edukohen dhe të mësojnë mbi artin, teknologjinë, sportin e të tjera.

Pak muaj më parë, Liljana u nderua me çmimin “Mësuesja e Vitit 2018” në Shqipëri. Në 2017-n, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i dha çmimin “Woman of Courage” (Grua e Kurajos).

Share With:
Translate »
727 Views