Motra e gjyqtares së ndjerë Fildez Hafizi përballet në gjykatë me vrasësin e saj
Armela Asllanaj, motra e gjyqtares së ndjerë Fildez Hafizi u përball paraditen e së premtes në gjykatë me ish-kunatin dhe njëkohësisht vrasësin e motrës së saj, Fadil Kasemin.
Kjo përballje u realizua në dhomën civile të Gjykatës së Tiranës, ku motra e gjyqtares kërkon të marrë kujdestarinë e dy fëmijëve të Fildezës.
Sipas procedurës, në seanca të tilla thirret si palë e tretë edhe babai i fëmijëve, Fadil Kasemi. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Kasemi edhe një muaj e gjysmë pas vrasjes së ish bashkëshortes duket se nuk ka asnjë pendesë.
Ai ka shprehur kundërshti për marrjen e fëmijëve në kujdestari nga motra e ish-bashkëshortes.
“Kam edhe unë motra dhe vëllezer sa të duash”, mësohet të jetë shprehur Kasemi gjatë seancës gjyqësore.
Pavarësisht kësaj deklarate, seanca e së premtes u zhvillua thjesht për të vënë në dijeni babain e fëmijëve si palë e tretë e interesuar në këtë proces, mbi kërkesën e Armela Asllanajt për të marrë kujdestarinë e fëmijëve.
Pasi mori pretendimet e palëve të interesuara në këtë proces, gjykata e ka shtyrë seancën për një tjetër datë për t’u shprehur në lidhje me kujdestarinë e dy fëmijëve të gjyqtares së ndjerë Fildez Hafizi, e cila u vra më 31 gusht të këtij viti nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi.