Mrekullitë ekzistojnë, Rudina 46-vjeçare bëhet nënë pas 15 vitesh përpjekje: Isha 6 muajshe shtatzënë dhe nuk e dija

Rudina Dahri është bërë me fëmijë në moshën 46-vjeçare pas përpjekjeve të shumta në 15 vite. Ajo tregon se për të ka qenë një nga sfidat më të mëdha për t’u bërë nënë dhe një nga synimet e saj kryesore në jetë.

Ajo ka provuar metoda si in vitro dhe vezë të huazuara, por në këto vite asgjë nuk ka funksionuar.

Por pavarësisht kësaj Rudina nuk u dorëzua kurrë, dhe një nga gjërat që nuk hoqi dore në përditshmërinë e saj ishte crossfit, me stërvitje intensive shumë orë në javë.

Një ditë, ajo shkoi te mjeku për të bërë vizitat e zakonshme kur zbuloi se kishte ndodhur mrekullia dhe se ajo ishte 26 javësh shtatzënë.

Për 6 muaj Rudina, e cila nuk e dinte që ishte shtatzënë vazhdonte dhe bënte crossfit. Fëmija sot gëzon shëndet të plotë dhe e ka plotësuar familjen.

Djali i saj e ka emri Dren.

STATUSI PËR DJALIN

Historia e Drenit

Data 6 mars 2023. Në sallën e operacionit sytë më ngelën te dritarja, nga ku dukeshin retë që davariteshin, a thua se ti Dren do vije në këtë botë prej andej, nga qiejt, nga universi.

Kisha bërë disa ndërhyrje prej vitesh të tëra, në kërkim të një fëmije, por asnjëherë nuk kisha hyrë me aq entuziazëm në sallë, si atë ditë. Do hyja e vetme e do dilja vetë i dytë, me ty në duar. Ashtu ndodhi. Pas pak minutash dëgjova teksa qaje. Më pas faqja jote preku timen, që ishte e zbutur tashmë nga lotë gëzimi. Një emocion nga i cili isha privuar prej 15 vitesh. Të kërkova me cdo mënyrë të mundshme, por ti nuk i përfille ato mundësira. E vendose vetë ardhjen tënde.

Ishte koha kur isha dorëzuar, kur e fusja veten në radhën e njerëzve që nuk mund ta marrin kënaqësinë e të qenit “Nënë” në jetë. E kisha pranuar fatin tim, se u binda që nuk bëhet luftë me dritën e hënës (sic thotë një këngë- Can’t fight the moonlight). Unë u dorëzova Dren, por jo ti.

Gjeta njëfarë çlirimi shpirtëror duke u ushtruar me crossfit -një lloj sporti i rëndë pak a shumë për femrat, duke qenë se ushtrimet e forcës dhe muskujve bëhen me intensitet. Ti nuk u dorëzove Dren, i rezistove peshave që mbaja aty, ushtrimeve që mund të ishin fatale për fetusin në zhvillim e sipër. Nuk dija asgjë për ekzistencën tënde në trupin tim. Zemra jote rrihte brenda meje e unë isha krejt e pavetëdijshme. Barku nisi të rritej e unë as e mendoja kurrë se aty ishte surpriza e jetës sime.

Nuk doja të përfshihesha nga iluzionet se mund të isha shtatzënë, se kjo ëndërr për mua ishte shndërruar prej kohësh në trishtim të pashoq. Për ekzistencën tënde u vura në dijeni në dhjetor, (me insistimin e mikeshës sime) kur ti kishe 6 muaj që kishe nisur ekzistencën tënde me vendosmëri të plotë. Doktori im të quajti një mrekulli (ngaqë kisha hyrë në periudhën e menopauzës dhe mundësitë ishin zero). Pak javë kishin mbetur për të menduar për lindjen, për ndryshimin rrënjësor të jetës sonë.

Tashmë ke disa javë mes nesh e vetëm tani arrij ta kuptoj thelbin e ekzistencës sime. Tashmë e di pse jetoj, Dreni im i shtrenjtë! Për ty deri në frymën që i paraprin amshimit!

Share With:
Translate »
99 Views