“Në certifikatë nuk mund të regjistrohen dy nëna’”, Eda dhe Alba në betejë me gjendjen civile

Ndonëse Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara, dy të ftuarat e kësaj të mërkure në ”Rudina” në Tv Klan, gëzojnë një marrëdhenie të fortë dashurie, nga e cila ato kanë mundur të bekohen me anë të fertilizimit in vitro me dy vajza binjake, jeta e tyre haset edhe me vështirësi, si dy nëna të reja. Dy vajzat e tyre nuk janë të regjistruara në gjendjen civile. Ato rrëfejnë dhe betejën ligjore që kanë për këtë çështje në gjykatën e Apelit.

Rudina Magjistari: Jam kurioze të di si i keni regjistruar, sepse kjo ka qenë një temë shumë e nxehtë kohët e fundit, edhe është diskutuar shumë… çfarë ka ndodhur, ku jeni me dokumentacionin?

Alba Ahmetaj: : Fatkeqësisht vajzat janë të paregjistruara akoma. Jemi në një betejë ligjore me gjendjen civile ku përkasim ne. Për momentin gjykatësi që e kishte në dorë e refuzoi çështjen tonë dhe tani presim të kalojmë në Apel.

Rudina Magjistari: Gjykatësi pse refuzoi, cili ishte argumenti?

Edlira Mara: Nuk ekziston ligji dhe në certifikatë nuk mund të regjistrohen dy nëna apo dy baballarë. Është vetë formati i certifikatës.

Rudina Magjistari: Aktualisht vajzat janë të paregjistruara?

Alba Ahmetaj: : Nuk ekzistojnë.

Rudina Magjistari: Si mund të vazhdojë kjo histori, sepse është absurde të vazhdohet kështu? Shërbimin mjekësor si e marrin?

Alba Ahmetaj: : Deri 6-muajshe kemi qenë në shtet, pas 6 muajsh e kemi bërë në privat, sepse duhet të ishin të regjistruara.

Rudina Magjistari: Dhe vetëm në privat juve ju krijohet kjo mundësi?

Alba Ahmetaj: : Për momentin po.

Edlira Mara Vajzat nuk mund të regjistrohen as në çerdhe, as në kopsht, as të ndjekin arsimin shkollor më vonë, nëse kjo histori vazhdon…

Rudina Magjistari: Ju aktualisht çfarë keni ndërmend të bëni, sepse është shumë e zymtë kjo e ardhme në këtë drejtim, përsa i përket vajzave të vogla…

Alba Ahmetaj: : E zymtë është… tani ne do të shohim interesin e vajzave fillimisht. Do të presim dhe pak.

Edlira Mara: Ne do të vazhdojmë të luftojmë, e kemi nisur këtë çështje kështu që do e çojmë deri në fund.

Alba Ahmetaj: : Tani po presim që çështja të dalë në Apel, por na kanë thënë që çështjet atje vonojnë ca…

Rudina Magjistari: Atje radha e dosjeve është bërë goxha e gjatë me aq sa dimë, edhe për situatën e drejtësisë që është në vend, kështu që kjo histori duket që do zgjasë shumë.

Alba Ahmetaj: : Mund të ketë një përparësi meqë është interesi i fëmijëve në këtë mes.

Rudina Magjistari: Po si nënë e vetme apo për juve kjo është një alternativë e pakonsiderueshme fare?

Edlira Mara Ne kemi filluar betejën që në regjistër të vendosen emrat e dy mamave dhe jo si nënë e vetme.

Share With:
Translate »
133 Views