“Në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, mësojani vetrespektin”

Rrite dhe edukoje vajzën tënde aq të aftë dhe të fortë, sa të mos shqetësohesh fare se më kë do të martohet ajo.

Në vend që të kursesh para apo edhe të futesh në borxhe për ditën e martesës së saj, më mirë shpenzoji ato para në shkollimin dhe edukimin e saj.

Në vend që t’i thuash që të mësojë të bëjë atë e këtë se do ikësh në “derë të huaj”, në vend që t’ia fiksosh në tru që ajo duhet të mësojë punët e shtëpisë vetëm sepse do shkojë te burri e aty do luajë edhe rolin e “shërbyeses”, më mirë fiksoja në tru që pastërtia apo gatimi janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit dhe duke i mësuar ajo s’do varet nga askush që të ushqehet.

Në vend që ta përgatisni për martesën, shumë më mirë do ishte ta përgatisnit për veten e saj, po qe e përgatitur për veten, ajo do jetë në gjendje të përballojë gjithçka tjetër pa pranuar nënshtrimin.

Dhe më e rëndësishmja, në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, të durojë për fjalët e botës, mësojeni të dashurojë veten e saj fillimisht, mësojani vetrespektin!

Mos i shkatërroni jetët e vajzave tuaja për tekat e juaja, për disa zakone që gjithmonë e kanë parë gruan shumë më poshtë se burrin, mos i shkatërroni sepse iu intereson më shumë për fjalët e botës, se sa për lumturinë e vajzës suaj.

Nëse vajza juaj pëson nga keqprindërimi juaj, askujt s’do i dhembë më shumë se sa juve, andaj mos i rrisni vajzat tuaja me idealet e kanunet me të cilat iu kanë rritur juve, mos ‘merrni hak’ tek vajzat e juaja, për mundësitë që nuk ua dhanë kurrë juve!

Mos iu thoni, “Unë kam duruar, duro dhe ti!”

Share With:



160 Views