Nëna e vrasësit në Barcelonë e përshkruan të birin si një fëmijë shembullor

“Ai vijon të jetë ende fëmija im. Kurrë nuk kam vënë re ndonjë gjë të çuditshme në sjelljen e tij. Ai e do motrën e tij më të vogël dhe gjithmonë më thërret në telefon kur është larg. Çdo muaj na jepte nga 300 euro, gjysmën e pagës së tij”.

Kështu e përshkruan të birin e saj Ghanima, nëna e autorit të sulmit në Rambla të Barcelonës.

46 vjeçarja dhe katër fëmijët jetojnë në Ripoll. Rrëfimin për “Corriere della Sera”e bëri vetëm pak orë para se policia të vriste 22-vjeçarin Younes Abouyaaqoub në periferi të Barcelonës.

Sipas policisë terroristi mbante të veshur një rrip shpërthyes dhe thirri “Allahu Akbar”, para se policia të qëllonte në drejtim të tij duke e vrarë të hënën pasdite.

22-vjeçari me origjinë nga Maroku dyshohet se drejtonte furgonin që përplasi turmën e njerëzve në sheshin Las Ramblas, duke vrarë 13 persona dhe plagosur qindra të tjerë.

“Ai filloi të punojë. Nuk na tregonte kurrë se çfarë bën kur del me shokët e tij, por ai nuk ka një karakter të keq. Kurrë nuk kam vënë re ndonjë gjë të çuditshme në sjelljen e tij, madje as muajt e fundit. Atij nuk i pëlqente të qëndrojë në kompjuter. Gjithmonë më uronte natën e mirë para se të shtrihej” e mbyll rrëfimin e saj e ëma.

Share With:
Translate »
671 Views