Nesër dita e parë e shkollës: Merren masa për sigurinë e fëmijëve
Nesër, (e hënë, 16 shtator) nis zyrtarisht sezoni i ri shkollor. Nisur nga eksperienca e viteve të kaluar, nisja e sezonit të ri përkon me trafik të rënduar, vonesa dhe si rrjedhojë, njerëz të pakënaqur.
Për ta shmangur këtë, duket se Policia Rrugore e Tiranës ka hartuar një plan paraprak veprimi me detyra specifike që ndihmojnë në menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore pranë ambienteve shkollore.
Ndër të tjera, vëmendje e veçantë i është kushtuar fëmijëve të mitur, duke i bërë apel drejtuesëve të mjeteve shkollorë të tregojnë kujdes dhe të respektojnë normat e parashikuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Autoritetet e Policisë Rrugore, kanë bërë me dije se kontrolli do të jetë sistematik duke qenë se bëhet fjalë për “jetën e fëmijëve”.
Sipas tyre, në asnjë rrethanë nuk do ketë tolerancë për drejtuesit e mjeteve apo personat që janë ngarkuar me mbikqyrjen e fëmijëve, nëse nuk i kanë siguruar këta të fundit.