Tiranë/ Nipi plagosi me thikë dy gjyshërit, i moshuari ndërron jetë në spital

Nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të marra i moshuari i cili u plagos me thikë nga nipi i tij në banesë, në zonën e Freskut në Tiranë.

Shaban Agaj 80 vjeç, ka gjetur vdekjen këtë të mërkurë në Spitalin e Traumës në Tiranë, duke mos i përballuar dot goditjet e thikës nga nipi Beniamin Kaso 19 vjeç.

Ngjarja ndodhi më 12 tetor, pikërisht ditën kur i moshuari kishte ditëlindjen, ku pas qëndrimit në terapi intensive për afro një javë, gjeti vdekjen ditën e djeshme.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij Hajrie Agaj, e cila gjithashtu u plagos me thikë nga Beniamini, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se i riu i cili u arrestua pak pas ngjarjes nga policia ishte natyrë problematike dhe njihej si përdorues i lëndëve narkotike, duke shtuar dyshimin se edhe në momentin e krimit, ka qenë nën efektin e substancave narkotike.

19-vjeçari jetonte me nënën në Gjermani, pasi prindërit i ishin divorcuar, por kohëve të fundit ai kishte vendosur të kthehej tek prindërit e nënës për të jetuar.

Sipas dëshmisë së fqinjëve, fillimisht janë dëgjuar debate dhe më pas i riu ka plagosur gjyshërit me thikë, duke u larguar menjëherë nga banesa.

Dyshohet se gjithçka ka nisur për shkak se i riu shpenzonte shumë. 

Share With:
Translate »
622 Views