Një ngjarje e pazakontë në Tiranë, vajza lind në taksi

Një ngjarje e pazakontë është shënuar para pak ditësh në Tiranë.  Një vajzë 26-vjeçare me iniciale A.T., është zgjuar në mëngjes papritur nga dhimbjet e lindjes. Vajza ishte në javën e 31 të shtatzënisë, pra sapo kishte hyrë në muajin e 8-të dhe priste të lindte pas 2 muajsh, por mesa duket vogëlushi ka pasur plane të tjera.

E gjendur e vetme në shtëpi pasi bashkëshorti i saj, me profesion infermier, ishte ende në punë në turnin e tretë, vajza telefonoi një taksi për ta transportuar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Por vogëlushi nuk ka pritur deri në mbërritjen në spital, prandaj shoferi është detyruar të ndalojë makinën në rrugë, pranë bulevardit të ri dhe ka asistuar vajzën në lindje. Mbas ardhjes në jetë të vogëlushit, ai i ka çuar ata në spital ku kanë marrë përkujdesjen e duhur mjekësore.

Vajza deklaroi se ishte ndierë me fat, pavarësisht situatës së vështirë: “Kur u zgjova nga dhembjet dhe kuptova që po lindja para kohe, nuk u mendova gjatë.  Shoferi u tregua shumë i mirë që më ndihmoi pa e menduar dy herë. Megjithëse ishte shumë situatë e papritur dhe e vështirë, isha me fat që më qëlloi një njeri i mirë si ai në makinë”.

Të dy, vajza dhe i porsalinduri, janë në gjendje të mirë shëndetësore, jashtë çdo rreziku për jetën dhe janë nën përkujdesjen e mjekëve të maternitetit.

Share With:
Translate »
922 Views