Një vajzë në lot teksa fliste Erdogan, Rama “probleme” me përkthyesin

Xhamia e Et’hem Beut i rikthehet funksionalitetit. Për përurimin pas restaurimit të saj ishte në Tiranë këtë të hënë Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ceremonia, e cila u vonua për shkak të axhendës së Presidentit turk, i kishte të gjitha. Shqiptarë nga të gjitha trevat ishin të pranishëm në sheshin “Skënderbej” për të dëgjuar fjalën e Erdogan. Ky i fundit i përshëndeti të gjithë dhe u përcolli përshëndetjet më të përzemërta. Ndërkohë ardhja e Erdogan në Tiranë është pritur mes emocionesh edhe nga të pranishmit. Një vajzë e re është shfaqur e përlotur teksa Erdogan fliste.

 

“Falenderoj Allahun që na bashkoi sot këtu, zemrat tona në këtë shesh. Ju falenderoj gjithsecilin nga ju për durimin për besën, për pritjen që na keni bërë deri më tani. E di që keni ardhur nga Shkupi, e di që keni ardhur nga Shkodra. Keni pritur me orë të tëra dhe sot këtu në Shqipëri jemi duke përjetuar një ditë shumë speciale dhe shumë të veçantë plot me emocione. Janë vëllezërit e mi që kanë ardhur edhe nga Kosova. Dua t’i falenderoj dhe t’ju përcjell përshëndetjet e mia më të përzemërta”, tha Erdogan.

Sa i përket restaurimit të xhamisë së Tiranës, Erdogan u shpreh se ky objekt kulti reflekton vlerat e përbashkëta kulturore të Shqipërisë dhe Turqisë. Erdogan u shpreh se uron që deri në muajin e Ramazanit të mund të ketë përfunduar edhe ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë.

 

“Kjo vepër xhevahire në mes të Tiranës reflekton vlerat e përbashkëta kulturore të Shqipërisë dhe Turqisë. Lavdi Zotit të Gjithësisë që sot kjo vepër unike, e cila na paraqet një kuptim shumë të imët dhe të hollë të artit që është përdorur në të në stilin më të përhapur në Ballkan me stoli të pikturuara me dorë. Është ndër strukturat më të dalluara që mbart metodat e periudhës osmane e deri në ditët e sotme.  Është një vepër kryesisht që na pasuron dhe reflekton traditën e arkitekturës dhe metodat që janë përdorur gjatë ndërtimit të kësaj xhamie deri në ditët e sotme dhe shpresoj që të pasohet edhe në brezat e ardhshme. Besoj se xhamia e Et’hem Beut gjatë ditës reflekton një bukuri tjetër në mes të Tiranës, por tashmë edhe me ndriçimin e jashtëm do të japë një pamje fantastike dhe magjepsëse për këdo që e shikon këtë xhami. Kështu që ne si Turqi, japim përparësi nëpërmjet TIKËS restaurimit, mirëmbajtjes së këtyre monumenteve kulturore dhe njëkohësisht kontribuojmë në zhvillimin e Shqipërisë. Nëpërmjet kanalit financues të Tikës nga viti 1996 deri më tani janë realizuar 546 vepra konkrete. Shpresoj, dëshiroj me zemër  që tani e tutje do vijojmë t’u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë.  Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt, mbase deri në muajin e Ramazanit të kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së Namazgjasë. Duke e ditur se Shqipëria është një aleate një mike e ngushtë dhe e sinqertë e Turqisë në raport me vendet e Ballkanit, për sa kohë ky bashkëpunim i ngushtë do të vazhdojë mes nesh nuk ka asnjë lloj sikleti, asnjë lloj problemi që nuk e zgjidhim”, tha Erdogan.

Nga ana tjetër, në këtë ceremoni foli edhe Kryeministri Edi Rama. Problemet me përkthyesin nuk iu ndanë as në këtë rast.

“Mos ma prit fjalën menjëherë të lutem, më lër të mbaroj fjalinë”, iu drejtua ai përkthyesit.

 

Rama tha se do të vijojë puna edhe për restaurimin e objekteve të tjera të kultit.

I përkasin thesarit të kulturës sonë dhe si të tilla ato duhen me patjetër patur kujdes, duhen rilindur, t’iu vihen në dispozicion brezave që vijnë. Për shqip ato janë po ashtu dëshmia  e jashtëzakonshme e një bashkëjetese fetare që na ka karakterizuar si një shembull i mrekullueshëm që na është trashëguar nga të parët tanë dhe ia kemi për detyrë t’ia trashëgojmë pasardhësve tanë. Për tonë për ta rilindur këtë aspekt të trashëgimisë kulturore ne e kemi gjetur te Presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm. Falë kujdesit të tij të drejtpërdrejtë, falë angazhimit të agjencisë turke të bashkëpunimit TIKA, falë bashkëpunimit me historianët, me inxhinierët, me restauratorët turq dhe ata shqiptar ne sot kemi disa nga xhevahiret më të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore që i përkasin fesë islame të cilat janë rilindur plot shkëlqim, siç ka rilindur plot shkëlqim kjo xhami e Et’hem Beut që është një nga simbolet më domethënëse të historisë sonë, por edhe një nga pasqyrat ku mund të shihet lidhja jonë e vjetër tradicionale me popullin vëlla turk. Xhamitë mesjetare në Berat, xhamitë në Gjirokastër të cilat po ashtu janë restauruar dhe kanë rilindur falë kësaj përkujdesje nuk janë vetëm objektet kulti që i shërbejnë besimtarëve mysliman, por janë edhe pikë referimi për të gjithë ne, për të gjithë komunitet edhe ata që e vizitojnë Shqipërinë. Së shpejti falë marrëveshjes të nënshkruar dhe punës që po bëhet, do të fillojë edhe puna për rilindjen e xhamisë së Plumbit në Shkodër, një nga perlat e trashëgimisë kulturore, ndërkohë me mbështetjen e Ergodan dhe agjencisë TIKA do të vijojmë punën edhe me ndihmën e vyer të ministrit të Turizmit dhe Kulturës për të vazhduar përpjekjen për rilindjen e bukur të Gjirokastrës, Beratit dhe të Shkodrës. Shumë faleminderit për durimin tuaj, e di që këtu nuk keni ardhur për mua, por për atë që do të vijë pas meje, kështu që unë po hap krahun kur i thonë fjalës dhe paçi shëndet, mirësi dhe mbarësi dhe Zoti qoftë me ju dhe familjet tuaja”, tha Rama./tvklan.al

Share With:
Translate »
54 Views